Site icon Telegrafi

Vitia: Ahmeti i ndërroi fjalët, kishte thënë se do të na ofrojë pesë drejtori

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Arben Vitia ka theksuar se oferta e Partisë Socialdemokrate (PSD), e publikuar në media nuk është ajo që e kanë marrë në takimin e fundit me kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Vitia, në një prononcim për Telegrafin, ka thënë se si pjesë e ekipit negociues të VV-së, në takimin e zhvilluar në maj me Ahmetin, ky i fundit kishte thënë se do t’ia ofrojnë VV-së pesë drejtori, si mundësi për të negociuar edhe mundësinë për dhënien e drejtorisë së gjashtë.

“Ne në kryesi të lëvizjës e kemi prezentuar këtë ofertë dhe kemi pritur që të na lajmërojë Ahmeti, por nuk ka ndodhur deri më tani, ndonëse ne kemi insituar për përgjigje”, ka shtuar Vitia.

Sipas tij, oferta e re nuk është si e mëparshmja “dhe kemi vërejtur një mosgatishmëri për bashkëpunim, përderisa ka këso ndryshime të fjalëve”.

Ndryshe, kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti ka vendosur që t’i dorëzoj ofertën finale ish-subjektit të tij politik Vetëvendosjes për bashkëqeverisje në Prishtinë.

Lexo po ashtu Ahmeti i dorëzon ofertën finale VV-së për bashkëqeverisje në Prishtinë, i ofron katër drejtori

Në ofertën të cilën e ka siguruar Telegrafi, Ahmeti i ofron VV-së katër drejtori, duke i ofruar mundësinë e zgjedhjes së drejtorisë së katërt në mes të Drejtorisë së Shërbimeve Publike ose Drejtorisë së Administratës, të cilën e udhëheq drejtori Muhedin Nushi.

Në rast të arritjes së marrëveshjes në mes PSD-së dhe VV-së për bashkëqeverisje atëherë ndarja e drejtorive në Komunën e Prishtinës do të jetë si vijon: ” PSD – 3 drejtori, AKR – 3 drejtori, AAK – 3 drejtori, LB – 1 drejtori, Alternativa – 1 drejtori dhe VV – 4 drejtori”. /Telegrafi/

Exit mobile version