Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë përmes një njoftimi për media, ka bërë të ditur se viti shkollor nuk do të fillojë më 1 shtator, por më 5 shtator, ditë e hënë.
Në njoftim thuhet se Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), është në fazën e fundit të realizimit të procedurave ligjore për blerjen dhe sigurimin e teksteve shkollore dhe materialeve tjera mësimore, mirëpo për shkaqe të pamjaftueshmërisë së buxhetit për blerjen e tyre, derisa së fundi është gjetur zgjidhje me Ministrinë e Financave, në bazë të legjislacionit në fuqi, nuk ka mundur të fillojë procedurat e blerjes dhe sigurimit të tyre.
“Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), siguron komunitetin shkollor se po punohet intensivisht për finalizimin sa më të shpejtë të këtij procesi, dhe se në javën e parë të fillimit të procesit edukativo-arsimor do të pajisen të gjithë nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të ulëta me tekste shkollore dhe materiale tjera mësimore. Përndryshe, në bashkëpunim me Drejtoritë Komunale për Arsim, janë koordinuar të gjitha aktivitetet për fillimin e mbarë të vitit të ri shkollor”, thuhet më tej në njoftim. /Telegrafi/