Site icon Telegrafi

Viti që e ringjalli karrierën e Zymer Bytyqit, gola të ‘çmendur’, asistime e oferta nga e gjithë Evropa: Tani dua të jem futbollist i rëndësishëm edhe te Kosova

Në futboll nganjëherë nuk vlen vetëm puna e madhe që e bënë, pasi të duhet edhe fati.

Fati nuk ishte me Zymer Bytyqin në vitet e fundit, por viti 2020 që ishte vit i tmerrshëm për gjithë botën ka qenë vit i artë për yllin kosovar, pasi ka shpërthyer në Norvegji duke ringjallur karrierën e tij.

Në fakt Bytyqi ka bërë emër të madh në futbollin norvegjez vetëm 16 vite, kur gjiganti austriak Red Bull Salzburg pagoi për të rreth 700 mijë euro në vitin 2013 duke e transferuar në Bundesligën austriake.

Bytyqi nuk u ambientua në futbollin austriak dhe u rikthye në Norvegji, ku pas disa viteve me ulje e ngritje në 2020-tën ka shpërthyer.

24-vjeçari ka qenë i pandalshëm për Vikingun, ku në 29 ndeshje ka arritur të shënoj 10 gola dhe të asistojë në 12 të tjerë, duke kontribuar në më shumë se 35% të golave të shënuar nga e gjithë skuadra brenda vitit në elitën e futbollit norvegjez.

Në Norvegji, Bytyqi po konsiderohet si ‘futbollist që shënon gola të çmendur’, pasi kosovari ka realizuar gola të jashtëzakonshëm nga distanca.

Në një intervistë për Telegrafin, djaloshi nga Lipjani që është lindur e rritur në Norvegji flet për vitin 2020 dhe formën e tij.

“Ky ka qenë padyshim viti im sa i përket aspektit profesional në futboll. Nuk mbajë mend që kam pasur vit më të mirë, pasi gjithçka ka ecur për mrekulli”.

“Kam shënuar gola, kam dhuruar asistime dhe kam bërë ndeshje të mëdha, që më kanë kthyer edhe vetëbesimin”, deklaroi Bytyqi për Telegrafin.

Numri shtatë i Vikingut deri më tani, thotë se e ka ringjallur karrierën në vitin 2020.

“Unë kam punuar gjithmonë shumë në stërvitje, por në futboll të nevojitet shpesh herë edhe fati. Puna e madhe që kam bërë mu ka shpërblyer në vitin 2020 ku siç e ceka kam shkëlqyer në fushë”, vazhdoi tutje Bytyqi.

Bytyqi në disa ndeshje ka bërë paraqitje të jashtëzakonshme, por njëra nga to padyshim është ndaj Aalesund në fitoren e Viking 5-2, ky ylli nga Kosova realizoi dy gola dhe fitoi një penallti.

Madje goli i tij nga gjuajtja e lirë është konsideruar si një nga ata golat e famshëm të yllit portugez Cristiano Ronaldo që i realizon nga ndërprerjet.

“Mund të them se ndeshja ndaj Aalesund ka qenë ndër më të mirat, pasi vërtetë kam bërë paraqitje të mirë dhe jam vlerësuar shumë”, u shpreh Bytyqi.

Në fakt Bytyqi e nisi vitin 2020 duke luajtur në një ndeshje miqësore me Përfaqësuesen e Kosovës ndaj Suedisë në janar.

Por atij i mbetet peng që nuk u ftua në ndeshje zyrtare, pasi mendon se ka merituar ftesë.

“Kam luajtur me Kosovën në vitin 2014 si 17 vjeçar, pastaj kam luajtur për grupmoshat e Norvegjisë”.

“Në janar të vitit 2020 u paraqita në miqësore ndaj Suedisë dhe isha shumë i lumtur për ta veshur fanellën e vendit tim, por gjithsesi më mbetet peng që nuk u grumbullova në ndeshje zyrtare, pasi mendojë se do të mund të kontribuoja”, tha Bytyqi.

Por ai tregon ekskluzivisht për Telegrafin se ka pasur kontakte në muajt e fundit me menaxherin Bajram Shala pasi edhe trajneri Bernard Challandes e ka përcjellë atë.

“Po më kanë kontaktuar dhe jam vërtetë shumë i lumtur që më kanë përcjellë këtë vit. Ndoshta kam mundur të grumbullohem, por është dashur të rregullohen dokumentet pasi kam luajtur për grupmoshat e Norvegjisë në ndeshje zyrtare dhe janë procedura që tanimë janë rregulluar”, vazhdoi Bytyqi.

Sulmuesi anësorë beson se në muajin mars do të ftohet nga Përfaqësuesja e Kosovës, por varet edhe prej formës së tij.

“Nuk e di ku do të transferohem në janar dhe ku do të jem, por shpresojë që të kem shëndetin dhe mos të kem lëndime”.

“Unë jam i gatshëm kurdo që Kosova ka nevojë për mua. Shpresoj që në mars të jem në formë dhe të grumbullohem për ndeshje zyrtare pasi nuk dua asgjë më shumë se sa të luaj për vendin tim”, vazhdoi tutje Bytyqi.

Zymeri tanimë ka mbetur lojtar i lirë, pasi më 31 dhjetor të vitit të kaluar kontrata me Vikingun ka skaduar dhe nuk ka pranuar rinovimin.

Ofertat për të nuk kanë munguar, pasi ai është kontaktuar fillimisht nga gjitha klubet elitare në Norvegji.

Por oferta për djaloshin e artë ka thuajse nga gjitha vendet e Evropës, si Holanda, Belgjika, Anglia, Zvicra, Turqia, Greqia, Italia e Austria.

Përveç klubeve të shumta evropiane, Zymeri ka marrë edhe dy oferta nga dy klube të MLS-së, por për momentin nuk e mendon largimin nga Evropa.

“Kam pasur një vit të jashtëzakonshëm dhe e mira është se kam mbetur lojtar i lirë ku klubet e vlerësojnë shumë këtë fakt”.

“Menaxheri im është në kontakt të vazhdueshëm me dhjetëra klube që kanë bërë oferta për mua, por gjatë këtyre ditëve do të vendosi për të ardhmen time”, u shpreh Bytyqi.

24-vjeçari nuk preferon të zbuloj emrat e klubeve, pasi kjo mund t’i shkaktojë problem në negociata.

“E mira është që oferta ka të shumta dhe tani jam në një pozitë ku mund të zgjedh se çfarë dua. Do ta shikojë projektin më të mirë, ku ai klub që shpreh më shumë interesim për mua do të nënshkruajë, pasi për mua është shumë e rëndësishme të luaj rregullisht dhe të jem pjesë e rregullt e Kosovës”, deklaroi sulmuesi kosovar.

Viti 2020 ishte i jashtëzakonshëm për Bytyqin, por shpresojmë që djaloshi nga Kosova në këtë vit të ri të ketë rritje edhe më të madhe të formës dhe të luaj në ndonjërin nga kampionatet më të mëdha evropiane. /Telegrafi/

Exit mobile version