Nga: Isabel Berwick / The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com
Kur fëmijët e mi të Gjeneratë Z papritmas nisën të bisedojnë për Perandorinë Romake, menjëherë e ndjeva një tendencë në TikTok. Dhe, kështu doli. Në shtator të vitit 2023, platforma ishte e mbushur me video të grave të cilat vjedhurazi u afroheshin burrave (baballarëve, djemve, partnerëve) – në habitatin e tyre natyror, në divan – dhe ua shtronin pyetjen: “Sa shpesh mendon për Perandorinë Romake”?
Shembull i përgjigjes së një mashkulli: “Jo shumë shpesh. Ndoshta dy herë në javë”. Kamera lëviz nga qeshjet histerike të gruas mosbesuese që bën videon. Gratë, me sa duket, kanë lejuar që pa u vënë re të kalojnë gjenialitet i romakëve dhe i rrugëve të tyre, ushtrive, kanalizimeve, mureve, ujësjellësve dhe (ëm) dueleve vrastare të gladiatorëve.
Lezeti i këtij trendi qëndron në mënyrën se si i ka ndarë familjet, pikërisht në linjat e dallimeve gjinore të shkollës së vjetër. Në ato linja që tashti shpeshherë janë të paqarta, por që ndonjëherë mund të shfaqen në mënyra të pakëndshme (influenceri Andrew Tate, manosfera, disa nga burrat që më dërgojnë email sa herë që shkruaj për barazinë gjinore).
Por, fenomeni i Perandorisë Romake është i lezetshëm dhe befasues. Më kujton javët e vitit 2015 kur interneti ethshëm e shkoi Atë fustan. Njerëzit ose e panë veshjen si të kaltër me të zezën ose si të bardhë me të artën – dhe nuk mund të kuptonin se si dikush mund t’i shihte ngjyrat e anës tjetër.
Pse shumë burra e kanë kaq për zemër këtë periudhë historike? Kërkimi për “tendencën e pasqyruar për Perandorinë Romake” në TikTok, nxjerr në pah një burrë që thotë se “burrat në thelb kanë nevojë për të pushtuar. Kishim dhe gjithmonë dhe do të kemi nevojë. Gjithçka duam të pushtojmë”.
Burrat që këtë e lexojnë: ju lus të më tregoni nëse e gjithë kjo në të vërtetë ka të bëjë me inxhinierinë klasike. /Telegrafi/