Telegrafi

Viti i Liridon Latifit – Shkëlqimi në Ligën e Evropës me Skënderbeun, transferimi në Hungari dhe ftesa e Kombëtares shqiptare

Emri që padyshim bëri bujë këtë vit që e lamë pas ishte Liridon Latifi.

Futbollisti i lindur në Prishtinë, që karrierën e nisi te Flamurtari, në vitin 2017 ka bërë hapin e madh në karrierën.

‘Doni’ siç njihet nga të gjithë, këtë sezon ka qenë sensacion, pasi e ndihmoi Skënderbeun me golat e tij të kalojë në fazën e grupeve të Ligës së Evropës, për të nënshkruar pastaj me Puscas Academy në Hungari.

Lexo po ashtu Latifi: Jam gati të luaj, Pannuci ka ndryshuar shumë gjëra

E gjithë kjo u kurorëzua me ftesën në Kombëtaren A, dhe debutimi me ngjyrat kuqezi.

Liridon Latifi flet në një intervistë për Telegrafin, ku tregon për hapat e tij, atë që ndjeu këtë vit dhe çfarë mund të presim nga ai në të ardhmen.

Nuk e fituat titullin me Skënderbeun, por arritët me golat e tu ta fusni në fazën e grupeve të Ligës së Evropës.  Si ishin muajt e fundit me Skënderbeun dhe çfarë të mungon nga ky klub dhe ky qytet?

Është e vërtetë se më ka mbetur peng fitimi i titullit në vitin e fundit dhe shpesh e kujtoj ndeshjen e fundit në Kukës. Por jam i lumtur që e arritëm qëllimin tonë ne Evropë, të futemi në fazën e grupeve.

Jo vetëm muajt e fundit, por të gjitha vitet e mia tek Skënderbeu kanë qenë të mrekullueshme. Më mungon Korça, sepse aty dashuria për futbollin është shumë e madhe.

Çfarë mund të thoni për Skënderbeun dhe edicionin në Evropë këtë sezon?

Skënderbeun e kam përcjellur vazhdimisht në Evrope dhe mendoj se në çdo ndeshje e kanë nxjerre maksimumin. Ka qenë një eksperiencë e jashtëzakonshme dhe vërehet se çdo vit e me shumë skuadra është më e pjekur.

Pas një sezoni të shkëlqyer, arritët të nënshkruani në kampionati hungarez. Sa jeni të kënaqur me kushtet e klubit dhe si je pritur?

Pritja ka qenë shumë e mirë nga të gjithë, si stafi ashtu edhe lojtaret. Kushtet atje janë të shkëlqyeshme.

Latifi duke bërë prezantimin tek Puskas Academy në Hungari

Këtë vit erdhi edhe ftesa e Kombëtares A dhe debutimi. Si ndjeheni në fushë me fanellën kuqezi?

Po. Është arritja më e madhe e çdo futbollisti ta përfaqësojë kombin e tij dhe gjithmonë  e pres me kënaqësi të veçantë ftesën nga kombëtarja. Emocion i pa përshkruar kur zbret në fushë me këtë fanellë. Jam krenar me këtë arritje.

Debutimi në Kombëtaren A kundër Italisë

Cili nga lojtarët te Kombëtarja A ju ka pritur më mirë?

Me të gjithë lojtarët në kombëtare kam marrëdhënie shumë të mira dhe nuk mund ta veçoj askënd.

Ku pas Puscas Akademisë. Cili kampionat më i madh do të ju ishte përshtatur më shumë?

Momentalisht jam i fokusuar vetëm në klubin tim aktual. Planet e mia janë që të lë gjurmë edhe aty, pastaj ia lë në dorë klubit dhe menaxherit të ardhmen time.

Keni pasur një lëndim muajt e fundit, si është gjendja juaj aktualisht?

Po, kam pasur një lëndim që më ka lënë gjashtë javë jashtë fushës, por fatmirësisht tani gjithçka ka kaluar dhe me 5 janar jam plotësisht i gatshëm t’i bashkohem klubit në stërvitje.

A po e përcjellin kampionatin në Kosovë dhe Shqipëri?

Sa herë që më jepet mundësia dhe koha e shfrytëzoj rastin t’i përcjell gjithmonë si ligën e Kosovës, ashtu edhe të Shqipërisë. Shpresoj që shumë shpejt edhe klubet e Kosovës të kenë sukses në garant ndërkombëtare.