Site icon Telegrafi

Viti 2014: Kur Lista Serbe vononte votimin e Qeverisë Mustafa për shkak të konsultimeve në Rashkë

Lista Serbe, jo vetëm këtë herë, por edhe kur ishte ndërtuar Qeveria PDK-LDK, kishte qenë faktor për ndërtimin e institucioneve.

Atëkohë, Adem Grabovci e Ismet Beqiri kishin kërkuar ta shtynin për 24 orë votimin e Qeverisë për shkak se në parlament nuk ishin deputetët serbë.

Situatë e njëjtë ishte edhe të shtunën kur votimi i Qeverisë u shty për disa orë pasi deputetët serbë ishin duke u kthyer nga Beogradi.

Deputetët e Listës Serbe, më 8 dhjetor të vitit 2014, ia patën shtyrë për 24 orë votimin e Qeverisë së Isa Mustafës.

Seanca e nisur më 8 dhjetor ishte shtyrë një ditë më vonë. Qeveria ishte votuar më datën 9 të muajit të fundit të 2014-ës.

Atëkohë, deputetët serbë kishin kërkuar disa pozita në AKI e FSK dhe nuk iu kishin plotësuar. Si pasojë e kësaj, kishin vendosur të mos shkonin fare në Parlament.

Edhe pse Isa Mustafa kishte prezantuar kabinetin dhe planin e Qeverisë, Ismet Beqiri i LDK-së e Adem Grabovci i PDK-së kishin kërkuar nga deputetët ta shtynin seancën për një ditë tjetër. Kërkesa e tyre ishte aprovuar me 69 vota për dhe të nesërmen ishin paraqitur edhe deputetët e Listës Serbe.

Situatë e ngjashme ka ndodhur edhe të shtunën kur është votuar Qeveria e Ramush Haradinajt.

Kësaj radhe, deputetët serbë kanë shtyrë për disa orë votimin e Qeverisë për shkak se ndodheshin në Beograd për t’u konsultuar lidhur me formimin e Qeverisë.

Zyrtarë të LDK-së disa herë e kanë përsëritur se Qeveria e Haradianjt është e kthyer dhe e kushtëzuar nga Beogradi.

Exit mobile version