Telegrafi

Viti 2015, nuk është viti i fajdexhinjve!?

Fajdexhinjve, njerëzit të cilët përbëjnë njërën prej hallkave më të rëndësishme të krimit të organizuar, si duket iu është ngushtuar hapësira brenda koordinatave të veprimit të tyre të mëhershëm. Kjo duke lënë anash rastet kur rastet e tilla nuk janë raportuar.

Sipas statistikave të Policisë së Kosovës (të dhënave zyrtare), rezulton se numri i rasteve të raportuara për këtë fenomen, (gjatë pesë mujorit të parë të vitit 2015), është vetëm tri raste, për atë që sipas Kodit Penal cilësohet si “Fajde”.

Gjatë vitit 2014, numri i raportuar i rasteve të “Fajdeve” ka qenë 30, ndërsa në vitin 2013, në Policinë e Kosovës, janë raportuar 23 raste të fajdeve.

Numri më i madh i raportimit të rasteve të “Fajdeve”, është në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës, pastaj nga drejtoritë rajonale ajo që prinë është Drejtoria e Policisë së Rajonale të Prizrenit, me numrin më të madh ta rasteve të raportuara që lidhen më këtë fenomen, duke u përcjellur nga Drejtoria e Policisë Rajonale të Prishtinës, Pejës, Mitrovicës dhe Gjilanit.

Derisa në Drejtorinë e Përgjithshme të PK-së, gjatë viteve 2013, 2014 dhe pesëmujorit të parë të këtij viti, janë raportuar 26 raste të “Fajdeve”, në DPR-në e Prizrenit, gjatë kësaj periudhe janë raportuar 9, në atë të Prishtinës 8 raste, të Pejës 6, Mitrovicës 5 dhe atë të Gjilanit vetëm 2 raste.

Florian Qehaja, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), konsideron që Policia e Kosovës, si asnjëherë më parë, ka ndërmarrë disa operacione policore me qëllim të eliminimit të grupeve apo individëve të cilët kryejnë vepra penale – fajdet.

Ai ka thënë për Telegrafin se “megjithatë këto operacione janë vërejtur kryesisht në nivel lokal (komunave) dhe se nuk janë vërejtur operacione në shkallë të vendit duke pasur parasysh ndërlidhshmërinë në mes grupeve”.

“Ndërmarrja e një operacioni në tërë territorin është e domosdoshme në mënyrë që të dobësohet sa më shumë ushtrimi i kësaj vepre penale. Po ashtu, nuk mendoj që ky fenomen mund të luftohet vetëm në formë të izoluar, për arsye që potencialisht grupet e organizuara fajdexhinjsh ngërthejnë po ashtu metoda tjera kriminale siç janë: reketimi, shantazhi, lajthimi e kështu me radhë”, ka theksuar Qehaja.

Sipas tij, fajdet përbëjnë një problem sociologjik në shoqërinë tonë, pasi që në vazhdimësi është përdorur si mjet për përfitim të paligjshëm në dëm të viktimave.

“Kjo në ndërkohë është shndërruar në një normë të pasanksionuar. Si rrjedhojë, konsideroj që ç’rrënjosja e grupeve të fajdexhinjve do të marrë kohë, dhe kërkon angazhim jo vetëm të organeve të rendit por edhe të shoqërisë në drejtim të vetëdijesimit të qytetarëve, lidhur me rrezikshmëritë që rrjedhin nga këto grupe”, ka thënë Qehaja.

Ai më tutje ka shtuar se nëse kthehemi te aspekti i rendit dhe sigurisë, edhe nëse kemi rezultate thjesht policore në këtë drejtim, atëherë sipas tij, suksesi i këtij rezultati ndërlidhet me punën e prokurorisë dhe punën e gjyqësorit.

“Këtu mendoj në veçanti lidhur me mbrojtjen e dëshmitarëve për arsye se dëshmitarët munden lehtë të ‘dekonspirohen’ nga ana e kryerësve të këtyre veprave penale, kjo nga fakti që dëshmitarët potencial mund të jenë ‘klientët’ e tyre. Me fjalë të tjera, luftimi i këtij fenomeni është më kompleks se sa mendohet”, ka shtuar Qehaja.

Në anën tjetër, Zyra për Informim e Policisë së Kosovës, ka theksuar për Telegrafin se në funksion të realizimit të detyrave dhe përgjegjësive ligjore, implementimit të strategjive, luftimin e dukurive negative, krimit të organizuar si dhe aktiviteteve ilegale në përgjithësi (duke përfshirë edhe veprat penale që sipas Kodit Penal cilësohen “Fajde”) ka punuar intensivisht dhe ka realizuar operacione policore në shkallë vendi.

Sipas PK-së, janë arrestuar numër i madh i personave të dyshuar, si dhe rastet e tilla në konsultim me prokuroritë përkatëse janë trajtuar konform ligjeve të aplikueshme.

Ndryshe, Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit, me datën 28 maj të këtij viti, kishte arrestuar shtatë persona nën dyshimin e bazuar për fajde, detyrim, kanosje dhe krim të organizuar. /Telegrafi/