Site icon Telegrafi

Visar Ymeri thotë se Gjykata Kushtetuese po legjitimon vendimet e Millosheviqit

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka nxjerrë një aktgjykim legjitimes për vendimet e Millosheviqit, në lidhje me pronat e ndërmarrjeve shoqërore “Iliria” dhe “Apiko” në Deçan.

“Një institucion i Republikës së Kosovës, Gjykata Kushtetuese, legjitimoi një vendim të vitit 1997, me të cilin Qeveria e atëhershme e Serbisë ia kishte dhuruar pronat e ndërmarrjeve shoqërore ‘Iliria’ dhe ‘Apiko’ Manastirit të Deçanit”, ka thënë Ymeri.

Lexojeni të plotë postimin e Ymerit në Facebook:

“Institucionet e Republikës së Kosovës do të duhej të ishin të kundërta prej trashëgimisë fashiste e gjenocidale të Milosheviqit. Fatkeqësisht një institucion i Republikës së Kosovës, Gjykata Kushtetuese, legjitimoi një vendim të vitit 1997, me të cilin Qeveria e atëhershme e Serbisë ia kishte dhuruar pronat e ndërmarrjeve shoqërore “Iliria” dhe “Apiko” Manastirit të Deçanit.

Kosova ka qenë e okupuar në mënyrë klasike nga Serbia, dhe regjimi i Milosheviqit ka qenë regjim okupator që ka ndjekur politika të fashiste, kolonizuese e gjenocidale ndaj Kosovës e shqiptarëve. Ky nuk mund të trajtohet si pushtet legjitim, dhe në fund të viteve 90’ta edhe bota u bind që nuk është pushtet legjitim por regjim kriminal.
E tash Republika e Kosovës po e legjitimon pjesërisht atë okupator kriminal. Prej Gjykatës Kushtetuese që nxjerrë aktgjykime legjitimuese për vendimet e Milosheviqit, e deri te Hashim Thaçi që e përshëndet këtë legjitimim të vendimeve të Milosheviqit.

Bartja e pronës së ndërmarrjeve “Iliria” dhe “Apiko” në pronësi të Manastirit të Deçanit është i padrejtë, shpronëson punëtorët e këtyre ndërmarrjeve, shkakton pabarazi në mesin e qytetarëve. Rrjedhimisht është i papranueshëm” (sic), ka shkruar Ymeri. /Telegrafi/

Exit mobile version