Visar Bekaj është futbollisti që duhet marrë shembull te Përfaqësuesja e Kosovës, prej momentit të parë që është ftuar në vitin 2020 dhe jo vetëm për këtë grumbullimin e fundit.
Kosova ka zhvilluar ndeshjen e parë ndaj Izraelit në një datë jo të zakonshme, shkaku që ishte shtyrë ndeshja nga muaji tetor kur ishte paraparë të zhvillohet.
Shtëpia më e madhe e futbollit botëror, FIFA u kishte dhënë urdhër të gjithë klubeve që t’i lironin futbollistët sikur të ishte datë normale e FIFA-s, por disa nga ta i kishin më primare ndeshjet me klubet e tyre se sa me Përfaqësuesen e Kosovës.
Portieri i Kosovës, Visar Bekaj është ai që duhet marrë shembull nga të gjithë. Bekaj ka bërë hapin e madh në karrierë këtë verë kur iu bashkua skuadrës turke Hatayspor nga Tirana dhe fillimi nuk ka qenë aspak i lehtë.
26-vjeçari qëndroi për 10 ndeshje në bankën rezervë te Hatayspor dhe debutoi arriti të luante dy ndeshje radhazi, një në Kupën e Turqisë dhe një në kampionat duke zënë vendin e titullarit.
Gjithsesi me të ardhur ftesa nga Kosova, Bekaj vendosi si gjithmonë të jetë në dispozicion të Dardanëve duke lënë vendin titullar te Hatayspor dhe një ndeshje të madhe ndaj Galatasarayt.
Portieri prishtinas e dinte se te Kosova është në bankë pasi para tij titullar është Aro Muric, por ai gjithsesi vendosi që të jetë në dispozicion të trajnerit Gliha duke humbur një ndeshje të madhe ndaj Galatasarayt.
Bekaj ka vite që ka merituar më shumë minuta, së paku në ndeshjet miqësore, por fatkeqësisht ai nuk i ka marrë ato përkundër se i ka merituar duke marrë parasysh formën që ka shfaqur.
Gjithsesi futbollistët e tjerë, sidomos ata që zgjodhën të qëndronin te klubet dhe mos të jenë në dispozicion të Kosovës duhet marrë shembull nga Visari.
Të gjitha ndeshjet e Kosovës janë të rëndësishme, qofshin ato miqësore apo kualifikuese pasi çdo fitore apo çdo rezultat pozitiv vlen për ranglistë të FIFA-s. /Telegrafi/