Telegrafi

Virus apo COVID? Pas rritjes së rasteve me grip, flet epidemiologu nga Tirana

Muaji janar ka sjellë dhe një shtim të rasteve të prekura nga virozat në mbarë vendin.

Në një intervistë të dhënë për Euronews Albania, epidemiologu Artan Simaku, tha se nuk ka asnjë arsye për tu shqetësuar, pasi kjo është një situatë e zakonshme e virozëve të stinës.

Ai tha se rritja e rasteve është shkaktuar si pasojë e gripit dhe jo virusit COVID-19.

Epidemiologu shtoi se karakteristike e gripit është zgjatja e temperaturës më shumë se coronavirusi.

“Jemi në një situatë të zakonshme të virozëve të stinës. Në lidhje me COVID-in vërehet një trend i qëndrueshëm i numrit të rasteve, por me një prirje të lehtë në rritje, pasi po hyjmë në pikun e stinës së dimrit. Ajo që është karakteristike në këtë periudhë, është mbizotërimi i gripit. Në vitin e parë të pandemisë gripi nuk ka qarkulluar fare, edhe në vitin e dytë, ndërsa tani po qarkullon njësoj si përpara pandemisë. Gripi po qarkullon jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë kontinentin evropian. Janë dy gripa që qarkullojnë, gripi A dhe gripi B. Në fillim qarkullonte në moshat pediatrike dhe tani prek të gjithë popullatën”, ka thënë ai.

Sipas tij, karakteristikë e gripit është temperatura që zgjat më shumë se COVID-i.

“Nuk janë variante të COVID-it”, tha mjeku. /Euronews/Telegrafi/