Real Madrid luajti 1-1 në udhëtim ndaj Sevillas dhe pas ndeshjes madrilenët patën kritika të ashpra në drejtim të gjyqtarit, ndër të tjera, për shkak se nuk akordoi penallti pasi Navas e shtyu Vinicius mbrapa shpinës në zonën e rreptësisë.
Krahas asaj situate të diskutueshme, anësori brazilian u vu edhe një herë në shënjestër të individëve nga publiku që e ofenduan atë në baza racore.
Tifozi që bëri këtë u largua nga stadiumi nga sigurimi, gjest të cilin Vinicius e përshëndeti dhe klubi dënoi publikisht sjelljen raciste dhe njoftoi protokollet disiplinore dhe anulimin e anëtarësimit të tifozit në fjalë, i cili nuk do të mund të hyjë më në stadiumin “ Sanchez Pizjuan”.
Pak më vonë, Vinicius, i cili shpesh ishte në shënjestër të ofendimeve raciste në stadiume, u shfaq në rrjetet sociale, duke uruar Sevillan për reagimin e shpejtë, por gjithashtu shtoi se kishte parë një video nga e njëjta ndeshje ku një vajzë shfaqte sjellje raciste.
“Unë e përgëzoj Sevillan për reagimin dhe ndëshkimin e shpejtë në një tjetër episod të trishtuar të futbollit spanjoll”, tha Vinicius në një deklaratë. “Fatkeqësisht, kam akses në një video të një sjelljeje tjetër raciste në ndeshjen e së shtunës, e cila këtë herë u shfaq nga një fëmijë. Është e trishtueshme që nuk ka njeri që ta edukojë atë. Unë investoj shumë në arsimin në Brazil për të rrënjosur qëndrime të ndryshme tek qytetarët”.
“Fytyra e racistit të sotëm është postuar në internet edhe në disa raste të tjera. Shpresoj që autoritetet spanjolle të bëjnë pjesën e tyre dhe të ndryshojnë ligjet për të mirë. Këta njerëz duhet të dënohen si kriminelë. Do të ishte një hap i parë i shkëlqyer në përgatitjet për Kupën e Botës 2030. Unë jam këtu për të ndihmuar. Më vjen keq nëse më duket sikur po e përsëris veten, por ky ishte episodi numër 19. Dhe vazhdon”, përfundoi Vinicius.
Vetëm sezonin e kaluar, La Liga dokumentoi tetë incidente në të cilat Vinicius ishte abuzuar në mënyrë racore, por në shumicën e rasteve autoritetet lokale nuk ngritën akuza./Telegrafi/