Ylli i Real Madridit, Vinicius Junior, raportohet se ka marrë vendimin e tij sa i përket të ardhmes së tij në klub, teksa dy klube nga Liga Premier kanë shprehur interesim për transferimin e tij.
Vinicius ka dominuar ballinat e gazetave këtë javë, pasi ai humbi garën për Topin e Artë 2024, me Rodrin që e fitoi këtë çmim.
Sulmuesi brazilian ka qenë një ndër më meritorët për sukseset e Madridit gjatë viteve të fundit, duke fituar 13 trofe përfshirë tre tituj të La Ligas dhe dy të Ligës së Kampionëve.
Por tani, një raportim i ri ka zbuluar se 24-vjeçari ka marrë një vendim sa i përket të ardhmes së tij në klub, teksa dy klube angleze thuhet se kanë shprehur interesim për të siguruar shërbimet e tij.
Sipas kontratës së tij aktuale me klubin, Vinicius pritet të jetë pjesë e ‘Los Blancos’ deri në verën e vitit 2027, pasi nënshkroi një kontratë të re në tetor të vitit të kaluar.
Sidoqoftë, sipas një raportimi nga Relevo, përkundër faktit që brazilianit iu ofruan disa mundësi të ndryshme për të nënshkruar një kontratë të re dhe të përmirësuar, ai ka vendosur të mos hyjë në negociata.
Vinicius thuhet se është i lumtur me kontratën e tij aktuale dhe teksa ai falënderoi klubin për interesimin që shfaqën në verë, ai preferon që të presë për momentin e duhur nëse do ta rinovojë kontratën apo jo.
Ky lajm vjen pas një raportimi që pretendoi se dy ekipet angleze Manchester United dhe Chelsea së bashku me PSG-në, janë duke monitoruar situatën e tij./Telegrafi/