Vinicius Junior lëshoi një përgjigje të ftohtë ndaj tifozëve që po talleshin me të gjatë fitores 3-2 të Real Madrid kundër Manchester Cityt në ndeshjen e parë të ‘play-off’-it të Ligës së Kampionëve.
24-vjeçari brazilian ishte subjekt i interesit të mediave në ndeshjen e së martës mbrëma, pas kaosit që ndodhi pasi ai doli i dyti në garën për Topin e Artë në tetor 2024.
Përpara ndeshjes së mbrëmshme, tifozët e Cityt shfaqën një pankartë me një imazh të Rodrit duke puthur Topin e Artë dhe fjalët “Ndaloni së qari me zemrën tuaj”, në dukje si një tallje drejt Viniciusit dhe Real Madridit.
Përveç kësaj, gjatë gjithë lojës, sulmuesi u nxit nga tifozët vendas me një brohoritje “Ku është Topi juaj i Artë?”.
Sidoqoftë, në fund ishte Vini Jr ai që qeshi i fundit pasi skuadra e tij shënoi dy gola të vonshëm për të marrë një avantazh prej një goli në ndeshjen e dytë të së mërkurës së ardhshme.
Pas ndeshjes, Vinicius Jr dha një përgjigje të ftohtë kundrejt pankartës dhe thirrjes, duke treguar se gjëra të tilla vetëm se e motivojnë.
“Pashë banderolën nga tifozët e Man City… dhe më motivoi edhe më shumë. Sa herë që tifozët rivalë bëjnë gjëra, kjo më jep më shumë forcë për të luajtur një lojë të shkëlqyer”, tha Vinicius pas ndeshjes. /Telegrafi/