Site icon Telegrafi

“Vila s’është e imja”, dëshmia e Veliajt: Mallkuar qoftë kush punon në këtë vend

Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) janë zbardhur dëshmitë e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa.

Xoxa ka kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë nga “arrest shtëpie” në “detyrim paraqitje”, ndërsa për Veliajn është kërkuar masë më e butë, konkretisht garanci pasurore.

Avokati i tij, Ermir Beta, në një deklaratë për gazetaren Anila Hoxha, u shpreh se “garancia do ishte e përshtatshme” për Veliajn.

Në sallën e gjyqit, Veliaj u shpreh se nuk i është dhënë ende një shpjegim i qartë për arrestimin e tij.

“Unë, një kryetar bashkie i votuar nga populli i Tiranës, kam bërë detyrën time. I kam hyrë në hak familjes, se kam punuar edhe të shtunë, edhe të diel, edhe për festa. Por mallkuar qoftë ai që punon në këtë vend, se bëhet objekt sulmi dhe përfundon në këtë situatë ku jam unë sot,” tha ai.

Lidhur me vilën në Qerret, Veliaj sqaroi.

Lexo po ashtu Arrestimi i Veliajt me urdhër të SPAK, reagon delegacioni i BE në Tiranë 

“Nuk është e jona. Është e natyrshme që aty të gjenden lodrat e fëmijës tim. Bashkëshortja ime është fëmijë i vetëm, nuk e di pse duket kaq e panatyrshme që lodrat të jenë në shtëpinë e gjyshes.”

Nga ana tjetër, prokuroria ka argumentuar se të gjitha veshjet e gjetura kishin kode unike dhe ishin sende personale, përfshirë buzëkuq dhe bizhuteri.

Në të njëjtën seancë, Elman Abule, i cili ndodhet në arrest me burg, kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë në garanci pasurore. Ndërsa Fatmir Bektashi kërkoi që detyrimi i paraqitjes për çështjen e tij të përputhej me atë të dosjes “Partizani”.

Meriman Palushi, ndërkohë, kërkoi që detyrimi për paraqitje të bëhej dy herë në muaj, duke argumentuar se një herë në javë nuk ishte proporcional, raporton tch.

Exit mobile version