Site icon Telegrafi

Viktor Orban më në fund e hapi derën për një refugjat

Boris Georgievski

Lajmi i mirë në fillim: Pas vitesh të gjata oponence për ardhjen e migrantëve dhe refuzimit për pranimin e refugjatëve, Viktor Orban më në fund u dorëzua. Ai jo vetëm që lejoi një “refugjat” të hyjë në Hungari, por me gjasë paska qenë personalisht i përfshirë në organizimin e të gjithë bagazheve…transportimin në Hungari, kalimin në kufij pa dokumente personale të vlefshme, duke injoruar kështu të gjithë procesin e azilit, aq të kritikuar prej tij për të lejuar një refugjat të shtrojë kërkesën për azil në Budapest në vend të shtrimit të saj në zonat e tranzitit në kufi.

Lajmi i keq: Kemi të bëjmë vetëm me një refugjat. E ai nuk po i ikën varfërisë si qindra e mijëra të tjerë që nuk janë lejuar të hyjnë në Hungari në tre vitet e fundit. Emri i tij është Nikola Gruevski, dhe është një i arratisur nga frika e drejtësisë. Ish-kryeministri maqedonas dhe ish-lideri i partisë nacionaliste, VMRO-DPMNE qeverisi Maqedoninë për më shumë se 10 vjet, grumbulloi një pasuri jo të pakët dhe ia doli që ta kthejë të gjithë perëndimin kundër tij. Por falë stilit të tij autoritar të qeverisjes, ai bëri edhe miq. Viktor Orbani dhe Nikola Gruveski ndanin të njëjtin qëllim për t’i kthyer vendet e tyre në “demokraci iliberale. Ata që të dy janë kundërshtarë të miliarderit amerikan, George Soros dhe kanë nxitur fushata plot urrejtje kundër organizatave jofitimprurëse të tij.

Orban është ende duke punuar për planet e tij, por Gruevski, pasi partia e tij humbi pushtetin në viti 2017, ka qenë shumë i zënë me gjetjen e avokatëve për të mbrojtur veten këto vite nga një listë e gjatë akuzash: korrupsion, abuzim me pushtetin, nxitje të dhunës etj.

Gruevski e mori dënimin e parë javën e kaluar, pas u gjet fajtor në blerjen ilegale të një mercedesi 570.000 Euro. Mendohej se ai do të fillonte të kryente dënimin dy vjeçar këtë javë. Shumë nga ata që vuajtën nën qeverisjen e tij në Shkup, mezi e prisnin futjen në burg të ish-kryeministrit. Por Gruevski kishte plane të tjera. Ndërkohë që policia maqedonase ende kërkonte kryeministrin e zhdukur, ai postoi një mesazh në Facebook të martën, duke thënë se është në Budapest duke pritur azil politik nga autoritetet hungareze.

Ka një zhgënjim të madh në Maqedoni pas arratisjes së Gruevskit. Të mërkurën në mbrëmje vonë pati madje edhe protesta para qeverisë. Për shumë vetë ai ishte simbol i një regjimi të korruptuar që shkaktoi krizën më të madhe politike në historinë e vendit. Burgosja e tij mendohej të fillonte një proces të shërimit në shoqëri dhe të rikthente besimin e humbur tek drejtësia dhe sundimi i ligjit. Mund të ketë gjasa që qeveria aktuale të ketë bërë ndonjë “deal” me Gruevskin, siç shprehen disa në Maqedoni, por shkak më i drejtërdrejtë i arratisjes së Gruevskit është paaftësia e autoriteteteve të Maqedonisë.

Viktor Orban nga ana e tij ka tani përpara zgjedhje të vështira. A do t’i mbetet ai luajal mikut të tij ballkanas dhe do të rrezikojë të hapë një front të ri përplasjeje me BE, në një kohë që marrëdhëniet me unionin nuk janë aspak të mira. Apo do të zgjedhë që ta ekstradojë Gruevskin në Maqedoni dhe të shpëtojë imazhin e tij plot krisje…kjo do të varet nga pozita që do të mbajë Komisioni Europian dhe partitë popullore europiane, ku janë anëtare partitë e Orbanit dhe Gruevskit. Hungaria është një vend anëtar i BE, Maqedonia një vend kandidat. Për dekada me radhë refreni zyrtar nga Brukseli ishte: të përmirësohej sundimi i ligjit, të luftohej korrupsioni dhe të forcoheshin institucionet demokratike.

Fakti që Viktor Orban tall vendin e tij dhe qeverinë e tij para syve të botës duke i dhënë strehë një të dënuari të kalibrit të Gruevskit, është më pak i rëndësishëm. Por fakti që ai hapur tallet me çdo vlerë për të cilën angazhohet Bashkimi Europian duhet të jetë një arsye për shqetësim në Bruksel dhe vendet anëtare të BE. Lëvizja e fundit e Orbanit na dëshmon, se ai jo vetëm që e ndjek me sukses modelin autoritar të bazuar në korrupsion, degradimin e institucioneve demokratike dhe duke e bërë të heshtë median në vend, por ai me efektivitet e eksporton këtë model në vendet fqinjë që ndjekin shembull e tij. E kaq duhet të mjaftojë për ta ngritur në këmbë BE.

Exit mobile version