Fillimi i vitit i gjen pa fonde disa strehimore që ofrojnë shërbime rezidenciale për viktimat e dhunës në familje, fëmijët pa përkujdesje prindërore dhe viktimat e trafikimit.
Kështu thuhet në reagimin e Rrjetit të Grave të Kosovës dhe KOMF-it, organizata këto që kërkojnë nga Qeveria e Kosovës të adresojë urgjentisht këtë çështje.
RrGK bën të ditur se Qendra për Mbrojtjen dhe Rehabilitimin e Grave dhe Fëmijëve Liria Gjilan, Qendra për Mbrojtjen e Viktimave dhe Parandalimin e Trafikimit të Qenieve Njerëzore dhe Qendra Shpresë dhe Shtëpi për Fëmijë kanë mbetur pa fonde për muajt janar e shkurt, pasi që të mërkurën, më 27 dhjetor 2023, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, Ministri i Financave Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, refuzoi kërkesën për financim të këtyre strehimoreve.
“Kërkesa ishte dërguar në Ministrinë e Drejtësisë nga përfaqësueset e strehimoreve, e cila pastaj nga Ministria e Drejtësisë u dërgua për aprovim në Ministrinë e Financave, e që pastaj u refuzua.
Në vitin 2023, këto strehimore u mbështetën financiarisht nga Ministria e Drejtësisë për periudhën maj-dhjetor 2023, ndërsa të njëjtave u ishte premtuar se në nëntor të 2023 do të hapet thirrja publike për financim për fillimin e vitit, por, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Për më tepër edhe shumë qendra ditore që ofrojnë shërbime sociale janë në të njëjtën situatë”, thuhet në reagim.
Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) i bën thirrje Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve që sa më parë ta adresojnë këtë problem.
“Ne jemi tejet të shqetësuara për mos-aprovimin e mbështetjes financiare për strehimoret e lartpërmendura dhe shërbimet tjera sociale, sepse kjo do t’i vërë në një situatë të rrezikut të gjithë qytetaret/ët që kanë nevojë për këto shërbime.
Siç ka qenë praktikë edhe viteve paraprake, ne presim që qeveria sa më parë të krijojë një Fond Emergjent përmes të cilit do të mbulohen nevojat e strehimoreve dhe shërbimeve sociale për periudhat kur ato kanë nevojë”, thuhet më tej në reagim.
Edhe Koalicioni i Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF, i cili përfaqëson 35 organizata jo qeveritare, ka adresuar një letër të hapur te krerët e Qeverisë duke kërkuar ndërmarrjen e masave të menjëhershme për parandalimin e mbylljes së shërbimeve sociale për fëmijët e cenueshëm.
Konkretisht, KOMF ka kërkuar sigurim të financimit për ofrimin e shërbimeve sociale, të cilat janë jetike për fëmijët e cenueshëm, shërbime të cilat siç thuhet, si pasojë e mos mbështetjes financiare nga ekzekutivi rrezikojnë të mbyllen nga 1 janar 2024.
Shërbimet rezidenciale dhe shërbimet ditore për fëmijët pa përkujdesje prindërore, fëmijët viktima të abuzimit dhe keqtrajtimit, fëmijët viktima të dhunës në familje dhe viktimat e trafikimit (niveli i ulët dhe i mesëm i rrezikut), fëmijët me aftësi të kufizuara, etj., financohen pjesërisht nga Ministria Drejtësisë përmes thirrjeve publike çdo vit.
“Nga viti 2016, ka zbrazëtira kohore mes thirrjeve/kontratave për mbështetje të këtyre shërbimeve duke lënë pa përkrahje financiare këto shërbime çdo fillim vit. Institucionet jo-publike të licencuar për ofrimin e shërbimeve sociale janë mbështetur financiarisht nga Ministria e Drejtësisë për ofrimin e shërbimeve. Mbështetja financiare nga Ministria e Drejtësisë ka qenë për periudhën Prill 2023 – Janar 2024 dhe si rrjedhojë shërbimet posedojnë financimin vetëm deri në Janar 2024. Në mungesë të fondeve për mbështetje të mëtutjeshme shërbimet rrezikojnë të mbyllen”, thuhet në komunikatën për media.
Tutje, thuhet se ndërprerja e ofrimit të këtyre shërbimeve, qoftë edhe përkohësisht do të lërë pa strehë fëmijët viktima të akomoduar aktualisht në strehimore dhe po ashtu do të mbyllë derën për rastet e reja që mund të jenë në nevojë për shërbime rezidenciale, duke shkelur kështu të drejtën themelore të fëmijëve për mbrojtje.
“Me situatë të njëjtë, do të përballen edhe ofruesit e shërbimeve që ofrojnë shërbime në baza ditore për fëmijët e cenueshëm përmes qendrave ditore. Në mungesë të shërbimeve sociale, fëmijët e cenueshëm, e sidomos fëmijët më aftësi të kufizuara do të mbesin të mbyllur në shtëpi dhe do të pësojnë regres në zhvillimin e tyre fizik, psikologjik dhe emocional. Kjo situatë, do të rëndojë edhe gjendjen ekonomike dhe emocionale të familjeve të fëmijëve të cenueshëm, të cilët do të detyrohen që të marrin shërbime me pagesë, në bazë të mundësive të tyre financiare”.
“Krahas mbylljes së shërbimeve, do të pasojë edhe mbyllja e qendrave të specializuara për shërbime ditore, të cilat janë të pajisura me mjete pune, infrastrukturë, staf profesional dhe të licencuar. Po ashtu, ky vakum kohor, rrezikon humbjen e stafit profesional në të cilin është investuar ndër vite”, bëhet e ditur më tej. /Telegrafi/