Një vajzë e mitur dyshohet të ketë qenë viktimë e trafikimit në Podujevë. Lidhur me këtë rast deri tani janë arrestuar tre persona.
Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.
Ajo ka thënë se ndaj tre të dyshuarve është paraqitur kërkesa e paraburgimit.
“Lidhur me këtë rast, ju njoftojmë se fillimisht me urdhër të prokurorit kujdestar nga Departamenti për të Mitur janë dërguar në mbajtje tre (3) persona të dyshuar, për veprën penale “Trafikimi me njerëz”, si dhe për të njëjtit është paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente”, tha Ulaj.
Ulaj shtoi se ndaj rastit janë duke u ndërmarrë veprime hetimore në koordinim me institucionet relevante.
Ndryshe Policia e Kosovës, dje dhe sot përmes raportit 24 orësh ka njoftuar për arrestimin e të dyshuarve lidhur me rastin në fjalë.
Fillimisht gjatë ditës së djeshme ishin arrestuar dy të dyshuarit, kurse sot është arrestuar edhe i dyshuari i tretë.
“Podujevë (NN) 17.09.2022 – 13:00. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë, nën dyshimin e bazuar se ishin duke e trafikuar viktimën femër kosovare. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhej dje në raportin e policisë.
Ndërkaq sot, policia ka njoftuar se është arrestuar i dyshuari mashkull nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Shërbime seksuale të viktimës së trafikimit”.
“Podujevë 18.09.2022 – 14:00. Në lidhje me rastin është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale të lartcekur. Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje”, thuhej në raport. /Telegrafi/