Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 20-vjetorit të çlirimit të Podujevës, kryetari i kësaj komune, Agim Veliu sot ka vendosur solemnisht gurthemelin për ndërtimin e 20 shtëpive në Lagjen e Dëshmorëve në fshatin Balloc të Podujevës.
Kryetari Veliu me këtë rast tha se ndjehet i lumtur që ndërtimi i këtyre shtëpive po fillon në kuadër të aktiviteteve që shënojnë 20-vjetorin e çlirimit të Podujevës.
“Projekti i ndërtimit të shtëpive në këtë lagje do të vazhdojë derisa ta largojmë edhe familjen e fundit, të vendosura në objektet montazh të banimit”, tha ai.
Pas ndërtimit të gjitha shtëpive, kryetari Veliu tha se në këtë lagje do të rregullohet e tërë infrastruktura rrugore dhe ndriçimi publik.
Ndërtimi i shtëpive në Lagjen e Dëshmorëve është projekt i përbashkët i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Komunës së Podujevës.
Në kuadër të këtij projekti deri tash janë ndërtuar 70 shtëpi për familjet, të cilat nga përfundimi i luftës jetonin në objektet montazh të kësaj lagjeje./Telegrafi/