Site icon Telegrafi

Vieri parasheh Interin kampion të Italisë: Ka ardhur momenti të ndalet Juventusi

Edicioni 2020/2021 në elitën e futbollit italian Serie A është bërë shumë interesant.

Fillimi i kampionatit i ka gjetur skuadrat e mëdha italiane me pikë thuajse të barabarta mes vete.

Disa nga ekipet kanë shpallur kandidaturën për titullin e kampionit.

Inter dhe Juventus shihen si dy skuadrat më favorite për titull dhe për këtë ka folur edhe legjenda italiane Christian Vieri.

47-vjeçari i cili ka luajtur edhe për Juventusin e Interin ka folur për garën për titull, ku i ka dhënë përparësi Neroazzurëve pasi ka konstatuar se ka ardhur momenti t’i jepet fund serisë së Zonjës së Vjetër.

“Mendoj ende që ekipin më të fortë e ka përsëri Juventusi, por nuk fitohen dot tituj kampion pafundësisht dhe ata kanë arritur te numri nëntë radhazi. Vjen gjithmonë momenti në të cilin një seri pozitive ndalet”

“Në anën tjetër, Interi që është po aq i forte, nuk fiton prej kohësh, mund të ketë më shumë dëshirë dhe uri”, ka deklaruar ish-sulmuesi italian.

Pas shtatë xhirove të para në Serie A, Milani ndodhet në krye të renditjes me 17 pikë, ndërsa Juventus ka 13 pikë e Inter një më pak. /Telegrafi/

Exit mobile version