Ish-kapiteni i Arsenalit, Patrick Vieira, i ka dalë në mbrojtje Granit Xhakës duke thënë se ai meriton respekt.
Mesfushorit shqiptar i është marrë shiriti i kapitenit dhe nuk ka luajtur për Topçinjtë që nga ndeshja kundër Crystal Palace, kur kishte reaguar kundrejt ofendimit të tifozëve.
Derisa Unai Emery ka thënë se 27-vjeçari mund të mos luajë më për klubin anglez, trajneri i Nice është më dashamirës ndaj lojtarit që e përfaqëson Zvicrën.
“Ndjej keqardhje për të, sepse ka qenë kapiten dhe po kalon një periudhë shumë të vështirë dhe një moment vërtet të rëndë te Arsenali. Mendoj se duhet t’ia kujtojmë vetes se ai ka arritur shumë prej se është tek Arsenali dhe meriton shumë respekt”.
“Kur je lojtar dhe nuk luan ashtu si do, frustrohesh me veten. Dhe nganjëherë thua ose bën gjëra për të cilat pendohesh… Unë e di sa i mirë është ai dhe se do ta tejkalojë këtë periudhë të vështirë, sepse është njeri i fortë, është një lojtar i mirë.
“Dhe ai do ta dëshmojë se sa i mirë është”, ka deklaruar Vieira, i cili ka luajtur te Arsenali gjatë viteve 1996-2005. /Telegrafi/