Autori i dyshuar i pesë vjedhje të ndodhura në Tiranë, tre prej të cilave të kryera me dhunë, është arrestuar nga policia.
Në pranga ka rënë 40-vjeçari me inicialet A.Sh., por edhe një person që akuzohet si përvetësuesi i sendeve të vjedhura.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “The runner”. Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi i shtetasve: – A. Sh. alias J. N., 40 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Vjedhja” dhe “Vjedhja me dhunë”; – R. P., 41 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale apo veprimtaria kriminale’”, njoftojnë uniformat blu.
Grabitësit i janë sekuestruar një varëse dhe një aparat celular të vjedhur.
Gjatë dokumentimit të plotë ligjor të vjedhjeve të kryera nga 40-vjeçari, ka rezultuar se sendet e vjedhura prej tij i përvetësonte shtetasi R. P., i cili i shiste në dyqanin e tij. /Telegrafi/