Avokati, Ardian Bajraktari, ka komentuar video-mesazhet e ministrave të kryeministrit Albin Kurti, ku ata kritikojnë Prokurorinë e Shtetit.
Bajraktari ka komentuar video-mesazhin e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ku ajo ka thënë se auditori i brendshëm i Ministrisë së Drejtësisë ka gjetur keqpërdorim në dhënien e një prone në Komunën e Vushtrrisë te një person fizik.
Sipas saj, kjo pronë i takon ministrisë që udhëheqë, por që i është dhënë për 10 vite në shfrytëzim një personi fizik nga ish-ministri i Drejtësisë dhe ish-drejtori i burgjeve.
Bajraktari ka theksuar se këto video tregon një tendencë sulmi nga ana e pushtetit ndaj sistemit prokurial.
“Nuk jam në rrjedha të detajeve të procesit. Bëhet fjalë për një proces që u bë vitin e kaluar. Jam në pikëpyetje pse tash ndodhi kjo video, kur rasti në dijenin time është mbyllur vitin e kaluar. Kjo tregon një tendencë të një sulmi qoftë të koordinuar apo çfarëdo qoftë ndaj sistemin prokurorial. Sistemi i drejtësisë nuk duhet të shqetësohet për sulme të pushtetit e as për mbrojtje të opozitës, le ta lëmë të bëjë punën e vet”, ka thënë Bajraktari, për RTV Dukagjini.
Prokuroria Speciale ditëve të fundit ka qenë në shënjestër të ministrave të Qeverisë Kurti, të cilët e kanë kritikuar për mosveprim ndaj denoncimeve që ata po i bëjnë.
Ka qenë e para ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, e cila ka publikuar një video në llogarinë e saj në Facebook, ku ka folur për ish-ministrin Vesel Krasniqi të cilin e ka akuzuar se ka krijuar monopol në fushën e kontrollit të cilësisë së karburanteve në Kosovë.
E ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka bërë të ditur se ka marrë vendim për lirimin e të gjitha objekteve nga pronat që janë ndërtuar në mënyrë të kundërligjshme.
Me anë të një video-adresimi nga Rugova, Peci ka reaguar lidhur me ndërtimin e 25 vilave në Stankaj të Pejës në pronën e Institutit Bujqësor të Kosovës.
Dyshime për punën e Prokurorisë Speciale ka hedhur edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Ajo ka folur për një pronë në Vushtrri që sipas saj i takon dikasterit që udhëheqë, por që i është dhënë për 10 vite në shfrytëzim një personi fizik nga ish-ministri i Drejtësisë dhe ish-drejtori i burgjeve.
Haxhiu ka thënë se auditori i brendshëm i ministrisë ka gjetur se kontrata është lidhur pa asnjë bazë ligjore dhe kushtetuese.
“Për çfarë dhe për kë po punon Prokuroria Speciale?”, ka shkruar Haxhiu, duke akuzuar Prokurorinë e Shtetit se ka krijuar precedent të rrezikshëm, meqë nuk e ka konsideruar vepër penale rrënimin e objektit të ish-hotelit Vicianum.
Haxhiu ka thënë se në Prokurori dhe Polici kanë bërë edhe shumë denoncime të tjera, por që nuk është ndërmarrë asnjë veprim.
Ndaj kritikave që ministrat qeveritarë i kanë bërë Prokurorisë së Shtetit kanë reaguar deputetë dhe zyrtarë të partive opozitare. /Telegrafi/