Ka nisur të premten testimi i radhës i qarkores njëkahëshe brenda qendrës së qytetit të Prishtinës.
Ky ‘eksperiment’ i komunës shkaktoi tollovi e bllokim të rrugëve të kryeqytetit nga veturat, e rrjedhimisht edhe tensionim të qytetarëve, të cilët prisnin për orë të tëra në kolona të gjata.
Për gjendjen e rrugëve të Prishtinës tregon më së miri kjo video e realizuar të premten.
Ndryshe, kjo është hera e tretë që bëhet testimi i unazës qendrore të kryeqytetit, por hera e parë që bëhet në ditë pune.
Testimi do të zgjasë tri ditë radhazi dhe i gjithë procesi do të ndodhë në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se një testim i tillë në ditë pune u ka mundësuar të identifikojnë fytet e ngushta në rrugë.
Ai bëri të ditur se kanë pranuar edhe mesazhe me propozime e rekomandime konkrete për të ofruar një zgjidhje përfundimtare “për komunikacionin e ngarkuar të kryeqytetit tonë”.
“Të gjitha propozimet dhe shqetësimet jemi duke i trajtuar me kujdes të veçantë bashkë me stafin tim”, shkroi Rama në Facebook. /Telegrafi/