Video-incizimet e kamerave që ishin të vendosura afër vendit ku ndodhi vrasja e vëllezërve Rexhep e Burim Ramaj janë shfaqur sot përmes projektorit në seancën gjyqësore.
Për vrasjen e dyfishtë që kishte ndodhur në Shaptej të Deçanit më 25 gusht të vitit të kaluar po gjykohen dy bashkëfshatarë e viktimave Salih e Durim Lushaj, që janë babë e bir mes vete.
Gjatë seancës së djeshme me gjithë përpjekjet e shumta doli e pamundur hapja e video-incizimeve.
Ndërsa, sot, pasi u hapën, video-incizimet zbuluan edhe dy dëshmitarë të rinj, të cilët u propozuan nga prokurorja e rastit, Valbona Disha-Haxhosaj, të dëgjohen para trupit gjykues në cilësinë e dëshmitarëve.
Gjatë transmetimit të video-incizimit fillimisht u vërejt një veturë e bardhë në lëvizje, për të cilën prokurorja tha se është e të akuzuarit Salih Lushaj.
Vetura e bardhë fillimisht del nga një rrugicë e lagjes se fshatit dhe niset në drejtim të Deçanit. Pas disa minutave sërish kthehet nga ishte nisur.
Disa momentet me vonë u vërejt në video-incizim një këmbësor në lëvizje, për të cilin prokurorja tha se është Mutafë Ramaj.
Disa minuta me vonë nga vendi ku doli vetura e bardhë vërehet një veturë ngjyrë e zezë, e tipit “Audi”, e prokurorja Valbona Disha Haxhosaj tha se atë e ngiste i akuzuarit tjetër, Durim Lushaj.
Ndërkohë, pas veturës vërehet edhe një kalimtar me biçikletë, për të cilin u tha se është dëshmitari Arben Beqiraj.
Pas disa minutave në bazë të video-incizimit vërehet duke vrapuar drejt vendit të ngjarjes Salih Lushaj dhe i mituri Demush Lushaj.
Jo shumë dhe pas tyre vërehet duke shkuar drejt vendit të ngjarjes në këmbë edhe personi të cilin prokurorja tha se ka identifikuar si Metë Ramaj. E dikur edhe personi tjetër Ramë Ramaj, të cilin prokurorja tha se e kishte identifikuar nga video-incizimet.
Nga kamera e cila kishte filmuar rrugën jo shumë larg vendit ku kishte ndodhur vrasja e dyfishtë, vërehet vetura e tipit “Audi” ngjyrë e zezë duke u kthyer me shpejtësi.
Prokurorja tha se atë veturë e ngiste i akuzuari Durim Lushaj.
Menjëherë pas tij vërehet duke vrapuar Salih Lushaj, i cili në një rast kishte vënë dorën edhe në kokë. Video-incizimet e kamerave kishin kapur Ramë Ramajn duke shkuar shpejt në shtëpinë e tij, i cili del pas disa çasteve me veturë dhe niset shpejt drejt vendit të ngjarjes. Prokurorja Disha-Haxhosaj tha se ky person i ka bartur të ndjerët me veturën e tij drejt Spitalit.
Duke i identifikuar edhe personat që shkojnë drejt vendit të ngjarjes, Metë e Ramë Ramaj, prokurorja e rastit propozoi që të njëjtit të ftohen në gjykatë në cilësinë e dëshmitarëve.
Ky propozim u aprovua nga trupi gjykues, ndërsa avokatja e Salih Lushajt, Kosovare Kelmendi theksoi se dëgjimi i tyre është jorelevant, pasi sipas saj, të njëjtit nuk kanë qenë të pranishëm në vendin e ngjarjes.
Avokatja Kelmendi dha vërejtje edhe kur u konstatua se Salih Lushaj kishte lëvizur fillimisht me veturën e tij, sepse, sipas saj, nuk mund të identifikohet ngasësi i veturës, e madje as pronësia e saj.
Dëshmia e ekspertit të grimcave të barutit
Prokurorja Valbona Disha Haxhosaj kishte propozuar që në cilësinë e dëshmitarit para trupit gjykues të dëgjohej edhe eksperti për grimcat e barutit.
Milazim Tahirukaj tha se është shef i Divizionit për eksploziv, zjarrvënie dhe grimcat e barutit.
Derisa po i parashtroheshin pyetjet nga prokurorja, eksperti Tahirukaj tha së në agjencinë prej nga ai vjen kryhen ekspertiza të cilat sillen nga vendi i ngjarjes të kryera nga krimet teknike të Policisë.
I pyetur se a mund të barten grimcat e barutit edhe te personat të tjerë të cilët nuk shtinë me armë, eksperti tha se një gjë e tillë nuk mund të përjashtohet.
“Mundësia e transferimit është e mundshme, se ato janë gazra që fillimisht janë në ajër e pastaj grimcat mund të shpërndahen edhe te viktimat, apo personat që janë afër”, tha Tahirukaj.
Nga katër provat të cilave u është bërë ekspertiza, dëshmitari Tahirukaj tha se dy prej tyre kanë dalë pozitive me prezencë të barutit, kurse te dy provat e tjera ai tha se nuk janë gjetur.
Për provat 1 dhe 2 bëhej fjalë për grimcat e barutit të gjetura në duart e të ndjerit, Burim Ramaj.
Tutje, eksperti për grimcat e barutit shpjegoi edhe rrethanat të cilat mund të ndikojnë për heqjen e grimcave të tyre.
Ai tha se mund të ndikojë koha e kryerjes së ekspertizës, larja e duarve dhe rrethanat e tjera të kushteve atmosferike.
Të akuzuarit do t’i bëhet ekspertiza psikiatrike
Gjatë seancës se djeshme të këtij gjykimit, avokati i Durim Lushajt, Gëzim Kollçaku, kishte bërë kërkesë që klientit të tij t’i bëhej një ekspertizë psikiatrike.
Ai këtë kërkesë e kishte mbështetur në disa raporte mjekësore dhe një libër shkencor, ku citoi se personat që kryejnë vrasje, duhet t’u bëhet ekspertiza psikiatrike.
Kjo kërkesë e avokatit Kollçaku u aprovua nga trupi gjykues i këtij rasti.
KALLXO.com kishte raportuar edhe kur mbrojtja e të akuzuarve gjatë shqyrtimit fillestar kishte kërkuar hedhjen e aktakuzës.
Në gusht të vitit të kaluar ndodhi vrasja e dyfishtë në fshatin Shaptej të Deçanit pas një zënke mes kushërinjsh. /Kallxo.com/