Telegrafi

Vëzhguesit evropianë thonë se zgjedhjet komunale 2021 ishin të organizuara mirë

Misioni i BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve në Kosovë ka thënë se raporti për zgjedhjet komunale 2021 është pozitiv dhe se përbën raportin më pozitiv të misioneve evropiane për vëzhgimin e zgjedhjeve.

Gjatë një takimi me kryeministrin Albin Kurti, kryevëzhguesi i misionit Lukas Mandl, tha se të gjeturat e raportit tregojnë se zgjedhjet komunale të vitit 2021 ishin të organizuara mirë, liritë themelore u respektuan gjatë fushatës dhe një numër i madh garuesish u ofruan votuesve një zgjedhje reale.

Ai po ashtu tha se raporti është pozitiv për Kosovën dhe se përbën raportin më pozitiv të misioneve të BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve.

Kështu është bërë e ditur përmes një komunikate për medie.

“Raporti po ashtu vlerëson se KQZ-ja i bëri përgatitjet për zgjedhje në mënyrë profesionale duke respektuar të gjitha afatet ligjore dhe gëzoi një nivel të lartë besimi nga të gjitha palët e interesuara dhe se pati një fushatë të decentralizuar dhe konkurruese. Raporti thekson edhe një numër mangësish të cilat duhet të adresohen në reformën zgjedhore sikurse ato mbi financimin e partive politike, kualifikimin e kandidatëve dhe rregullat e fushatës, votimin e qytetarëve jashtë vendit, saktësinë e listave të votuesve dhe mangësi të tjera në mënyrë që aspekti rregullativ të jetë sa më i qartë e sa më demokratik”, thuhet në komunikatë.

Kryeministri Kurti shprehu falënderimin për misionin vëzhgues, duke theksuar nevojën për një raportim sa më të drejtë dhe përkushtimin për të shtyrë përpara procesin e reformave zgjedhore.

Në takim mori pjesë edhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.

Raporti i Misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve në Kosovë do të prezantohet nesër në një konferencë për media duke filluar nga ora 13:00. /Telegrafi/