Në Galerinë e Arteve në Pejë të premten është hapur ekspozita personale e piktorit pejan, Lendrit Lluka.
Në ekspozitën e titulluar “Vetvetja”, piktori Lluka ka paraqitur mbi 150 punime të punuara ndër vite.
Ai në një bisedë për Telegrafin tha se kjo është ekspozita e tij e dytë.
“Kjo është ekspozita ime e dytë. Në këtë ekspozitë kam paraqitur mbi 150 punime të mija, të cilat i kam punuar ndër vite. Janë vepra të dizajneve të ndryshme”, tregoi Lluka.
Mes tjerash, ai tha se pikturat i përkasin zhanreve të ndryshme dhe se nuk është i orientuar në një zhanër të vetëm.
“Asnjëherë nuk jam i orientuar në një zhanër. Çdo herë e gjej veten në secilën pjesë, siç janë ato të portreteve, qoftë të natyrës. Pra, gjithçka me një fjalë që i përket vetëm artit”.
Lluka tutje u shpreh se talenti i tij u zbulua që në moshën 3-vjeçare, kur ai ishte në një zyrë gjeodezie.
Pas kësaj, ai vazhdoi të ndjekë pasionin e tij për artin dhe këtë pasion e ruajti deri në ditët e sotme.
Megjithatë, ai studion mjekësinë, një fushë krejtësisht e ndryshme. Arti për Llukën është një pasion që ai e ndjek në kohën e lirë.