Policia Rajonale e Komunikacionit Rrugor në Ferizaj ka filluar patrullimin me “vetura inteligjente” në rrugët e rajonit të Ferizajt.
“Vetura inteligjente” është e pajisur me sensorë e radarë e cila gjatë patrullimit monitoron rrugën, identifikon kundërvajtësit, bënë matjen e shpejtësisë se mjeteve në lëvizje në këndin 360 shkallë.
“Gjithashtu, kjo veturë ka mundësinë për detektimin e automjeteve në tejkalim në vijë të plotë, përdorimin e telefonit dhe kundërvajtjeve tjera në komunikacionin, e më pas të dhënat i dërgon në kohë reale në bazën e të dhënave të Policisë së Kosovës dhe pastaj shqiptohet gjoba, sipas kundërvajtjes së shkaktuar”, thuhet në njoftim.
Sipas Policisë, në ekranin e vendosur brenda veturës, zyrtarët policorë mund të shohin veturat që janë në rrugë, se me çfarë shpejtësie po lëvizin, përmes targave të veturës së detektuar, nëpërmjet këtyre pajisjeve bëhet leximi i targave dhe identifikimi i mjeteve të paregjistruara, targave të vjedhura dhe gjithashtu bënë identifikimin e personave të cilët janë të kërkim policor.
Policia Rajonale e Ferizajt apelon tek shoferët e automjeteve që të bëjnë kujdes në komunikacion, ngaqë “vetura inteligjente” mund të detektojë kundërvajtjet në lëvizje dhe të gjobiten pa u ndalur. /Telegrafi/