Policia e Kosovës sot përmes raportit 24 orësh njoftoi se ka arrestuar një person në Gjakovë pasi që i njëjti kishte dëmtuar dy vetura me koktej molotovi.
Lidhur me këtë rast zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj ka thënë për Telegrafin se veturat e dëmtuara ishin të Policisë së Kosovës.
Ai ka thënë se ende nuk dihen motivet.
“Me datën 21.08.2024 rreth orës 17:50, i dyshuari mashkull kosovar i moshës madhore është arrestuar pasi që i njëjti, për motive ende të panjohura, ka hedhur lëndë djegëse në disa vetura të Policisë të cilat kanë qenë të parkuara në parkingun e Njësisë Rajonale të Komunikacionit Rrugor në Gjakovë. Dy vetura janë përfshirë nga zjarri i cili është lokalizuar shumë shpejt”, ka thënë Elezaj.
Ai ka shtuar se lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit me vendimin e të cilit është iniciuar rast “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, ndërsa i dyshuari është ndalur në mbajtje. /Telegrafi/