Zëvendësdrejtori i Policisë Rajonale të Mitrovicës së Veriut, Besim Hoti, tha se vetura e djegur e gjetur pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit, do të dërgohet për ekzaminim.
“Vetura është marrë nga Policia, është dërguar ne Rajonin jug Mitrovicë, dhe do dërgohet ne Prishtinë për ekzaminim te mëtutjeshëm”, tha Hoti për Kallxo.com
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Shpend Maxhuni pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë tha se kanë informacione të bollshme për të gjurmuar në lidhje me pronarin dhe qarkullimin e veturës.
“Çdo automjet që lëviz është i obliguar edhe të ketë targën e regjistrimit dhe dokumentacionin përcjellës. Kjo veturë ka qenë pa targa por shumë shpejt kemi arritur të kemi në dispozicion informacione të nevojshme për prejardhjen e veturës dhe pronësinë e veturës në një periudhë të caktuar të kohës. Nuk mund të jap më shumë detaje por informacionet që kemi për veturën janë të mjaftueshme që të gjurmojmë edhe më thellë edhe për pronarin e veturës dhe qarkullimin e veturës”, tha Maxhuni.
Kryeprokurori i Mitrovicës, Shyqeri Syla tha se zyrtarisht nuk ka asgjë në lidhje me pronarin e veturës që u gjet e djegur.
Gjatë ditës së sotme policia ka dhënë detaje në lidhje me vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq.
Ata thanë se në mëngjes rreth orës 09:15 , në rrugën “Vojvode Putnika” në veri të Mitrovicës, është lokalizuar një veturë private e markës “Opel Astra”, pa targa të regjistrimit, të cilës paraprakisht i ishte vënë zjarri, ndërsa Policia dyshon se mund të jetë e lidhur me rastin e vrasjes”, ka thënë policia.