Telegrafi

Vetura përfshihet nga zjarri në Australi, humbin jetën tre fëmijë dhe një burrë

Katër persona, përfshirë dhe tre fëmijë kanë vdekur pasi një veturë u përfshi nga zjarri në qytetin Brisbane të Australisë.

Sipas mediave të huaja përcjell Telegrafi, fëmijët ishin nën moshën 10 vjeçe, ndërsa u gjetën të vdekur në veturë nga përgjegjësit e urgjencës.

Raportohet se edhe një burrë ka ndërruar jetë, ndërsa një grua pësoi djegie të thella dhe është dërguar në spital. Ndërkaq policia në qytetin e Brisbane ka rrethuar zonën në vendin e ngjarjes.

“Është një skenë e tmerrshme”, u tha gazetarëve të mërkurën inspektori Mark Thompson.

“Është ende herët për të dhënë detaje lidhur me këtë rast, mirëpo me arritjen e policisë në vendin e ngjarjes, vetura veçse ishte kapluar plotësisht nga zjarri”, ka shtuar ai.

I prekur nga kjo ngjarje ishte edhe një kalimtar rasti, i cili ishte përpjekur t’i ndihmonte personat që gjendeshin në makinë, si pasojë ai kishte pësuar disa djegie të fytyrës dhe është dërguar në spital, këtë rast e ka konfirmuar zëdhënësi i Ambulancës në Queensland.