Telegrafi

Vetura e policisë përfshihet në aksidentin në Gjakovë, lëndohen tre persona

Foto: Ilustrim

Tre persona kanë pësuar lëndime trupore si pasojë e aksidentit të ndodhur në Gjakovë, ku është përfshirë edhe një veturë zyrtare e policisë së Kosovës.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, ka deklaruar se ndihmë mjekësore kanë kërkuar dy zyrtarë policorë dhe një qytetar.

“Sot policia ju ka përgjigjur një rasti ku një familjar me veturë ishte duke transportuar një viktimë e cila dyshohej se ishte vetëvrarë. Në përcjellje e sipër në rrugën “Gaspër Karaqi” në Gjakovë, janë aksidentuar vetura e policisë, vetura që bënte transportin e viktimës si dhe një veturë tjetër civile”.

“Deri më tani tre persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore (dy zyrtarë policorë dhe një qytetar). Lidhur me rastin është njoftuar edhe IPK, në koordinim me të cilët do vazhdohet me procedim të rastit”, deklaroi Elezaj.