Site icon Telegrafi

Vettingu në Kosovë, Kurti: Mund të përfitojmë nga përvoja e Shqipërisë  

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pritën sot ministrin e Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë, Ulsi Manja.

Në fokus të takimit ishte diskutimi për procesin e Vettingut në sistemin e drejtësisë.

Në njoftimin për media thuhet se gjatë takimit u diskutuan shembujt praktikë dhe sfidat konkrete në përmirësimin e sistemit të drejtësisë në të dy vendet.

Kryeministri Kurti tha se vettingu në Kosovë mund të përfitojë shumë nga përvoja dhe mësimet e Shqipërisë.

Ndërkaq, ministri i Shqipërisë, Ulsi Manja u shpreh se Shqipëria do të ofrojë ekspertizën më të mirë në ato fusha ku Shqipëria ka shënuar sukses, por në të njëjtën kohë u shpreh i interesuar për të marrë edhe nga përvojat e Kosovës në fushat ku kjo e fundit ka bërë më shumë progres.

Kryeministri Kurti dhe ministri Manja u pajtuan se drejtësia dhe sundimi i ligjit janë themele të sigurta që garantojnë mirëqenie të qytetarëve.

Ministritë e Drejtësisë së të dyja vendeve tashmë përveç grupeve teknike që funksionojnë në shërbim të zbatimit të marrëveshjeve dypalëshe në fushën e drejtësisë, tash e tutje do të kenë edhe një person në nivel të kabineteve politike, përgjegjës për mbulimin e të gjitha komunikimeve ndërmjet dy ministrive. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version