Sebastian Vettel ka kërkuar falje edhe publikisht për atë që ndodhi në pistën e Azerbajxhanit.
Ish kampioni i botës që u përfshi në një duel me Lewis Hamiltonin, vetëm pak orë pasi u fal nga FIA, ka dalë edhe publikisht ku për t’i kërkuar falje rivalit të tij.
“Për sa i përket incidentit në Baku dua të sqaroj se pas rikthimit në pistë u habita nga ai frenim i Hamiltonit dhe mendova se e bëri qëllimisht. Në atë moment reagova në mënyrë të teruar dhe dua t’i kërkoj falje direkt atij, ashtu si edhe gjithë njerëzve që e ndoqën garën”.
“E kuptoj që nuk kam dhënë shembull të mirë, por nuk kisha asnjë qëllim të rrezikoja Lewisin në asnjë moment”, ka shkruar në faqen e tij zyrtare piloti i Ferrarit.
Në vijim, Vettel bën të njëjtën gjë edhe kur i drejtohet FIA-s duke theksuar se pranon dhe respekton çdo vendim që merr ky institucion.
“E dua këtë sport dhe jam i vendosur ta përfaqësoj sa më mirë dhe të jem një shembull për të gjitha gjeneratat e së ardhmes”, ka shtuar gjermani.
Në lidhje me vendimin e FIA-s për ta përjashtuar Vettelin nga të gjitha iniciativat publicitare, ka reaguara zyrtarisht edhe skuadra Ferrarit që mbështet institucionin ndërkombëtar të automobilizmit.
Ndryshe, FIA e fali Vettelin për reagimin ndaj Hamiltonit duke lënë në fuqi vetëm atë pezullim prej 10 sekondash që piloti gjerman mori në garën për Çmimin e Madh të Azerbajxhanit.