Nga: Jim Morrison
Përktheu: Fadil Bajraj
Prolog nga “Wilderness: The Lost Writings of Jim Morrison, Volume 1” (botuar për herë të parë në shqip, në rubrikën “Oaza” të Javores Politike Shqiptare “Zëri”)
Mendoj se intervista e këtillë është formë e re e artit. Mendoj se vetintervista është esencë e kreativitetit. Të bërit pyetje vetvetes dhe të orvaturit për të gjetur përgjigje. Aty thjesht shkrimtari përgjigjet në disa pyetje të pathëna.
Është ngjashëm posi të përgjigjurit në pyetjet në bankën për dëshmitarë në gjykatore. Në pyetje është një sferë e çuditshme në të cilën provon të mbërthesh diç që ka ndodhur në të kaluarën dhe sinqerisht provon të rikujtosh diç që ngadonjëherë ke provuar ta bësh. Ky është ushtrim vendimtar mendor. Intervista shpeshherë të jep rast të ballafaqosh vetëdijen tënde me pyetjet dhe, sipas meje, arti përbëhet mu nga kjo. Intervista po ashtu të jep rast që të provosh t`i eliminosh të gjithë ata plotësues të hapësirës… Është e domosdoshme të provosh të jesh eksplicit, preciz, që të përqendrohesh në atë që është e rëndësishme, pa kurrfarë dallaveresh. Ky lloj i intervistës e ka prejardhjen e vet nga rrëfyetorja, debatimi dhe nga pyetjet e kryqëzuara. Kur thuash diç, atëherë vërtet atë s`mund të tërheqësh. Është tepër vonë. Ka të bëjë me një çast ekzistencial të veçantë.
Unë jam në njëfarë mënyre i zënë në grackën e lojës së artit dhe letërsisë: heronjtë e mi janë artistët dhe shkrimtarët.
Gjithmonë kam dashur të shkruaj, por po ashtu gjithmonë kam menduar se nga kjo s`do të ketë gjë nëse, në njëfarë mënyre, dora ime s`e merr penën dhe fillon të lëvizë e që unë të mos kem kurrfarë lidhje me të. Diç ngjashëm si të shkruarit automatik. Por diç e tillë nuk ka ndodhur kurrë.
Natyrisht se i kam shkruar disa poezi. Mendoj se diku në klasën e pestë apo të gjashtë e kam shkruar poezinë me titullin “The Pony Express”. Me sa më kujtohet, ajo ishte e para. Ajo ishte një ndër ato poezitë e tipit të baladës. Sado që kurrë s`kam mundur t`i bëj së bashku.
“Horse Latitudes” e kam shkruar derisa isha në shkollë të mesme. Gjatë shkollës së mesme dhe kolegjit mbaja shumë shënime, e kur e braktisa shkollën, nga një arsye e marrë, ndoshta ishte edhe e mençur, të gjitha ato i pata flakur… Shkruaja në ata notesat nga nata në natë. Megjithatë, po të mos i flakja ato përgjithmonë, kurrë s`do të shkruaja diç origjinale, sepse ato kryesisht ishin akumulim i gjërave të cilat më parë i pata lexuar ose dëgjuar, ngjashëm me citatet nga librat. Mendoj se kurrë s`do të isha i lirë po të mos i hiqja qafe ato.
Dëgjoni, poezia e vërtetë asgjë s`thotë, ajo vetëm i numëron mundësitë. I hap të gjitha dyert. Të mundëson të kalosh nëpër ato që të përgjigjen.
Ja pra, për çfarë arsye poezia më tërheq aq shumë, sepse është e përjetshme. Përderisa të ketë njerëz, ata do të mund t`i mbajnë mend fjalët dhe kombinimet e fjalëve. Asgjë tjetër s`do të mund ta mbijetojë holokaustin përveç poezisë dhe këngëve. Askush s`do të mund të mbajë mend tërë një roman. Askush s`do të mund të përshkruajë ndonjë film, një pjesë të skulpturës, pikturës, por përderisa do të ketë qenie njerëzore, këngët dhe poezia do të qëndrojnë.
Nëse poezia ime synon të sendërtojë çfarëdo qëllimi, atëherë ai është t`i lirojë njerëzit nga mënyrat e kufizuara në të cilat ata shohin dhe ndiejnë.