Nuk mund të ketë luftë kundër korrupsionit e as krimit të organizuar pa ndodhur procesi i vetingut në sistemin e drejtësisë në Kosovë.
Kështu është thënë në Komisionin për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, ku është mbajtur dëgjim publik me ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahiri dhe drejtorin e Agjencisë kundër Korrupsionit, Shaip Havolli.
Kryetarja e këtij komisioni, Albulena Haxhiu, tha se nuk do të ketë sistem të pavarur të drejtësisë pa ndodhur procesi i vetingut.
“Pa e bërë Kosova një proces të vetingut, një farë vlerësimi të stërholluar, të detajuar të gjyqtarëve dhe të prokurorëve nuk kemi me mund të kemi sistem të pavarur të drejtësisë, i cili në radhë të parë do të merret me rastet e profileve të larta, që tashmë kanë krijuar pasuri të paligjshme në kurriz të qytetarëve të Kosovës. Më kujtohet mua këtu në kohën sa ministri i Drejtësisë ishte Hajredin Kuqi. A e dini, si ka kaluar me çfarë pompoziteti ligji për zgjerimin për konfiskimin e pasurisë së fituar me vepër penale? Nuk e keni idenë çfarë qasje ka pasur Qeveria thuajse menjëherë pas miratimit nuk do të ketë më korrupsion në Kosovë. Ka ndodh 5 vite pas ne i kemi vetëm dy raste që janë zgjidhë deri në fund që është zbatuar ai projektligj”, tha ajo.
Procesin e vetingut të ndodhur në vitin 2009 Haxhiu e quajti një proces formal që nuk ka dhënë ndonjë efekt. Ajo propozoi që Kosova të bëjë veting siç ka bërë Shqipëria.
Ndërsa, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, nuk u pajtua me atë që tha Haxhiu sa i përket vetingut të vitit 2009.
Tahiri tha se ka ndërmarrë disa hapa konkretë në luftimin e korrupsionit, ku përmendi se kanë ndërmarrë bërjen e disa ligjeve dhe disa ndryshime të tjera.
Sipas tij, Ligji i ri për Agjencinë Kundër Korrupsionit, Projektligji për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, Ligji i ri për mbrojtjen e informatorëve, Projektligji për përgjegjësi disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, Projektligji për plotësim-ndryshimin e ligjit për kryeprokurorin e shtetit, plotësimi i Ligjit për kompetenca të zgjeruara për konfiskim të pasurisë së përfituar me vepër penale, si dhe Kodi penal dhe Kodi i procedurës penale janë disa nga masat që kanë ndërmarrë për të luftuar korrupsionin në Kosovë.
“Sa i përket vetingut, u përmend vetingu që ka ndodhur në vitin 2010, nuk ka ndodhur sa për sy e faqe. Unë po ju informoj nga ky proces i vetingut në Republikën e Kosovës kanë mbetur jashtë 45 gjyqtarë dhe prokurorë. Ndoshta nuk është përmendur shumë ata njerëz, nuk është bërë publicitet më i madh dhe me u përmend kush janë që janë dalë prej këtij procesi, kanë mbetur jashtë 45 prokurorë dhe gjyqtarë”, tha ai.
Pro vetingut në sistemin e drejtësisë së Kosovës u deklarua edhe Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.
“Nuk mund të ketë luftë kundër korrupsionit e as krimit të organizuar, as asnjë lloj i kriminalitetit në këtë vend pa e pasur edhe një herë një pastrim të këtij sistemi të drejtësisë. Me atë që e kemi parë ne gjatë monitorimit gjatë gjithë këtyre viteve dhe me besueshmërinë që është tek qytetarët në raport me gjyqtarët dhe prokurorët e shohim që ka nevojë ky sistem edhe një herë me u shkund, ka nevojë këta gjyqtarë dhe këta prokurorë edhe një herë me i shti me i la mirë. Dhe ata që janë shumë të mirë thjeshtë me i vendos në pozitat që i meritojnë, e ata që janë të përfshirë në afera korruptive dhe që janë të emëruar politik duhet që ti largojmë nga ky sistem”, tha ai.
Ndërsa, skeptik sa i përket vetingut u shpreh deputeti dhe anëtari i këtij komisioni Korab Sejdiu, i cili tha se në rolin e prokurorëve dhe gjyqtarëve do të vijnë studentë që kanë diplomuar duke kopjuar.
“Ku ki me marrë ti gjyqtar dhe prokuror të ri, ki me marrë prej një grupi të studentëve të cilët tash janë jurist të diplomuar të cilët në mënyrë kronike kanë kopjuar. Kanë kaluar provime si dikush që vazhdimisht është frustruar në pjesën akademike duke e parë që në mënyrë kronike kopjojnë dhe kalojnë provime duke e lutur profesorin e kështu me radhë. Qysh mundesh ti me shndërrua dikë që ka kopjuar në mënyrë kronike e shndërrua atë në prokuror, avokat ose gjyqtar të ndershëm”, tha ai.
Nga anëtarët e komisionit pati kritika sa i përket koncept dokumentit të suspendimit të zyrtarëve të lartë që janë në aktakuzë. Ku ata këtë e quajtën më shumë si formë për të eliminuar kundërshtarët politik.
Por, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, tha se ky koncept dokument është hartuar konform kërkesës së BE-së dhe se është në kuadër të agjendës së reformave evropiane.
“Është koncept dokument, nuk është projektligj suspendimi i zyrtarëve të lartë publik që janë në aktakuzë, është koncept dokument. Ky koncept dokument është hartuar konform kërkesës së BE-së, është në kuadër të agjendës së reformave evropiane, është kërkesë e KE-së dhe unë këtë koncept dokument do ta involvoj në kod penal. Ky koncept dokument do të inkorporohet në kod penal, është bërë konform kërkesës së BE-së dhe si ministër i Drejtësisë kam tri obligime. Projektligji për prokurorin e shtetit, projektligji për parandalimin e konfliktit të interesit dhe ky koncept dokument, që hyjnë në kuadër edhe të agjendës së reformave evropiane dhe planit të zbatimit të MSA-së. Do të thotë këto janë kërkesa të BE-së”, tha ai.
Anëtari dhe deputeti nga radhët e Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, tha se nuk ka përcaktim politik për të luftuar krimin.
“Nuk ka përcaktim politik për të luftuar krimin, sepse unë mendoj që një grupacion ma i fuqishëm që udhëheq Kosovën qëndron mbrapa krimit. 100 argumente i ki, kush qëndron prapa krimit dhe e ki rastin me qindra me mijëra raste siç këto që po i shpjegoj në Kosovë të cilat mundem ti numëroj të cilat tregojnë që një skemë shumë më e fuqishme e pushtetit e mirëmban funksionimin e këtij krimi. Rastet e korrupsionit janë drastike në Kosovë, kurrkush nuk i lufton, ata që e kapin hajnin në Kosovë dënohen, ata që e nxënë hajnin në Kosovë dënohen”, tha ai.
Drejtori i Agjencisë kundër Korrupsionit, Shaip Havolli, tha se beson që me ligjin e ri për këtë institucion do t’i japë edhe më shumë hapësirë në luftën kundër korrupsionit.
Ai bëri të ditur se gjatë këtij viti kanë pranuar mbi 200 informata ku mbi 100 prej tyre janë dërguar në prokurori me kallëzim penal.
“Gjatë këtij viti ka pranuar mbi 200 informata, ku rreth 100 raste i ka dërguar në prokurori me kallëzim penal. Mbi 100 raste ka dërguar në prokurorinë përkatëse me kallëzim penal. Po ashtu, edhe për shkelje administrative ka dërguar në institucionet përkatëse mbi dhjetëra raste për inicimin e procedurës së brendshme disiplinore. Kjo, sa i përket hetimit të korrupsionit, ndërsa sa i përket çështjes së parandalimit ku hyjnë deklarimi i pasurisë siç e dini gjatë këtij viti për kontroll kanë qenë 886 zyrtarë, ku jemi në përfundim të këtij kontrolli për vitin 2016”, tha ai. /Telegrafi/