Site icon Telegrafi

Vetëvendosje thotë se Dardan Molliqaj u kërcënua me jetë

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se sekretari i kësaj partie, Dardan Molliqaj, ka marrë sërish kërcënim.

“Mbrëmë më 6 maj, Dardan Molliqaj, ka marrë një kërcënim të radhës që është shumë më serioz sesa kërcënimi që kishte ndodhur më 21 mars të këtij viti”, ka thënë ajo gjatë një konference për media.

Ajo ka thënë se kërcënuesit ia kanë bërë me dije Molliqajt se janë duke e përcjellë vazhdimisht. Dhe si bindje për këtë, sipas saj, kërcënuesit ia kanë treguar Molliqajt disa nga detajet ditore.

Deputetja Haxhiu ka thënë se kërcënimi i dytë Molliqajt i vjen nga vëllai i drejtorit të operacioneve policore, Rashit Qalaj, që është Xhavit Qalaj.

“Kam met faru me shka ki të gjallë. Ki m’i ra pishman që je gjallë dhe se këtë punë kam mi zgjidh sipas kanunit”, citohet të ketë shkruar Xhavit Qalaj.

Ajo ka thënë se këto kërcënime po ndodhin për shkak se, deri më tani kur kanë kaluar afro dy muaj prej kur ka ndodhur tentim-sulmi ndaj Dardan Molliqajt, edhe policia dukej se në fillim e ka marrë seriozisht këtë punë, kurse tani, sipas saj, kjo çështje është zbehur në tërësi.

“Neglizhenca e policisë ka inkurajuar edhe kërcënuesit”, ka shtuar Haxhiu.

Kurse shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka thënë se kërcënime të tilla vijnë vazhdimisht kur Vetëvendosje nxjerrë në shesh fakte që tregojnë se prej kujt është kapur ky shtet.

“Sa herë që VV ka paraqitur dëshmi se si është i kapur ky shtet, nuk kanë vonuar kërcënimet”, ka thënë Konjufca.

Ai ka thënë se shteti është i kapur nga grupet e krimit të organizuar. Sipas tij, policia e ka për detyrë ta mundësoje sigurinë për të gjithë qytetaret, dhe gjyqësia t’i ndjekë ata që e cenojnë këtë.

“Për shkak se këto hallka janë të kapura, ato shfrytëzohen për t’i persekutuar frikësuar kundërshtarët politikë”, ka shtuar ai.

Ai ka thënë se shteti është i kapur nga një pakicë e njerëzve, por që kanë ndikim të madh.

“Shumica e policëve që punojnë aty janë të mirë dhe kanë nevojë të çlirohen nga pjesa tjetër që e ka kapur këtë institucion”, ka thënë Konjufca.

Exit mobile version