Telegrafi

Vetëvendosje thotë se aktivistët e saj nuk e sulmuan me vezë Përparim Ramën

Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, është sulmuar nga disa persona në një tubim në Lagjen “Kodra e Trimave”, të cilët kanë duke brohoritur “Vetëvendosje”.

Mirëpo, Lëvizja Vetëvendosje – Qendra në Prishtinë, ka mohuar se ka gisht në këtë ngjarje dhe i ka quajtur të rreme raportimet që e lidhën këtë sulm me emrin e partisë.

“Sapo u njoftuam nga mediat se disa persona paskan hedhur vezë në një tubim ku ka qenë prezent kandidatit për kryetar të Prishtinës nga radhët e LDK-së. Këto lajme janë të pavërteta dhe tendencioze. Aksionet e aktivistëve tanë kanë qenë gjithmonë publike. Pra edhe njëherë ritheksojmë së këto veprime nuk janë organizuar nga Lëvizja VETËVENDOSJE!”, thuhet në reagim.

Lexo po ashtu Sulmohet me vezë Përparim Rama në "Kodrën e Trimave"

Rama u sulmua me vezë derisa ishte në një aktivitet në lagjen “Kodra e Trimave” në kryeqytet.

E, Përparim Rama, përmes një statusi në Facebook ka thënë se takimet me banorët e Prishtinës dhe diskutimet e lira e të hapura janë bazë e lirisë së shprehjes.

Ka reaguar edhe kryetari i degës së LDK-së në “Kodrën e Trimave”, Ismet Beqiri, i cili ka thënë se “disa individ të frustruar me klithma VV dhe sulme me vezë, tregojnë fytyrën dhe kulturën e tyre.
Mos të klithin por të punojnë, si duket po harrojnë që janë në pushtet”, ka shkruar Beqiri. /Telegrafi/