Asamblisti i Partisë Demokratike të Kosovës në Kuvendin Komunal të Prizrenit, Bardh Avdaj e ka gjuajtur me shishe uji kryesuesin e Kuvendit komunal, Artan Abrashi.
Lëvizja Vetëvendosje përmes një komunikate ka dënuar sjelljen e asambleistit të PDK-së ndaj Kryesuesit të Kuvendit, Artan Abrashi.
Vetëvendosje sjelljen e këtij asambleisti e sheh të lidhur me ndryshimet politike në Prizren.
“Sulmi i sotëm nga një asambelist i PDK-së ndaj Kryesuesit të Kuvendit Komunal dhe kryetarit të Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren, Artan Abrashit, aq sa shpërfaqë logjikën e tyre jopolitike, reflekton mllefin që vije nga fakti që qeverisja në komunën e Prizrenit është shkëputur njëherë e përgjithnjë nga kthetrat keqpërdoruese e korruptive të kësaj partie”.
“Kuvendi Komunal është organ i rëndësishëm i demokracisë lokale dhe hapësirë e pamohueshme e diskutimeve politike mbi politikat e çështjet lokale, por nuk mund të shndërrohet asnjëherë në shënjestër sulmesh e shpërthimesh të atyre që kishin keqpërdorur për vite të tëra qeverisjen lokale për interesa personale e klanore, e të cilët të ndëshkuar nga votuesit nuk po e përballojnë dot ndryshimin e përditshëm të Prizrenit me qeverisjen e mirë, profesionale dhe shërbyese të Lëvizjes Vetëvendosje përmes kryetarit Mytaher Haskuka”.
Duke e konsideruar si “sjellje gangsteri” veprimin e asambleistit të PDK-së, Vetëvendosje thotë se se angazhimi i kryetarit, asambleistëve dhe drejtorëve komunalë të këtij subjekti politik do të jetë i paluhatshëm në ofrimin e një qeverisje efikase.
“Ne dënojmë sjelljen prej gangsteri të asambleistit të PDK-së dhe sulmin mbi kryesuesin Artan Abrashi dhe garantojmë të gjithë qytetarët e komunës së Prizrenit se angazhimi i kryetarit, asambleistëve dhe drejtorëve komunalë të Lëvizjes do të jetë i paluhatshëm në ofrimin e një qeverisje efikase, të ndershme dhe në shërbim të qytetarëve, ashtu siç jemi zotuar e për çfarë kanë zgjedhur qytetarët e Prizrenit”.
Në fund Vetëvendosje ka ftuar subjektet opozitare në Prizren të mos i dëmtojnë interesat e qytetarëve të Prizrenit.
“Ne ftojmë të gjithë asambleistët e opozitës në Prizren që të përmbushin rolin e tyre si asambleistë dhe mos të përpiqen të dëmtojnë interesat e qytetarëve të Prizrenit. Kurrfarë sulmi a kërcënimi nuk do të ndalë ligjshmërinë dhe vendosjen e gjërave në vendin e duhur në komunën e Prizrenit”, përfundon komunikata e lwshuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
Edhe KDI ka dënuar gjuhën denigruese dhe sulmet fizike brenda punimeve të seancës në Kuvendin Komunal të Prizrenit./Telegrafi/