Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Supreme, ku kanë pranuar pjesërisht ankesat e LVV-së, duke lënë jashtë garës për deputetë, Albin Kurtin, Albulena Haxhiun dhe Bajram Mavriqin.
Nagavci ka thënë se Qeveria Kurti 2 është realitet i ri, i pashmangshëm e i shumë pritur, transmeton Telegrafi.
“E nderuar që në rrugëtimin politik jam e rreshtuar drejt e në anën e duhur. Me 14 shkurt qytetarët do të tregojnë fuqishëm përkrahjen për Albin Kurtin, e kjo do të jetë jo vetëm përgjigjja më e mirë për institucionet e kapura, por dhe fillimi i punës për shtetin e së drejtës”, ka shkruar ajo në Facebook.
Tutje, ajo ka thënë se “edhe kësaj radhe, më të shumtë në numër e më të fuqishëm do të dalim”.
Ndryshe, Gjykata Supreme përmes një njoftimi për media ka thënë se ankesa e ushtruar nga subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje, është pranuar pjesërisht e themeltë nga kolegji i Gjykatës Supreme.
“Është ndryshuar pjesërisht vendimi i PZAP-së, Anr.17/2021, dhe vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) Nr.244-2021, lidhur me certifikimin e kandidatëve për deputetë, duke urdhëruar KQZ-në, që kandidatët për deputetë Liburn Aliu dhe Labinotë Demi Murtezi, t’i përfshijë në listën e kandidatëve për deputetë. Ndërkaq, është refuzuar pjesërisht e pabazuar ankesa e LVV-së, duke vërtetuar vendimin e PZAP-së”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/