Lëvizja Vetëvendosje nuk i beson raportit të autopsisë për vdekjen e aktivistit Astrit Dehari, të publikuar në një konferencë për media nga kryeprokurori Sylë Hoxha.
Sipas tyre, raporti “nuk shpjegohen lidhjet shkencore e logjike midis konstatimeve të shkakut të vdekjes (asfiksisë) dhe shkaktarit të vdekjes (dëmtime të vetëshkaktuara “hezituese”)”.
VV përmes një komunikate thonë se përkundër se ekspertet ligjorë të angazhuar nga familja Dehari nuk janë ftuar për të thënë fjalën e tyre dhe nuk u janë dhënë provat, ata do ta analizojnë raportin e Autopsisë dhe do ta thonë mendimin e tyre.
Ndryshe, në raportin e mjekësisë ligjore për vdekjen e Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren konstatohet se ai vdiq nga asfiksia e vetëshkaktuar.
Ky është reagimi i plotë i LVV’së:
Sot, avokati i familjes, z. Tomë Gashi, e ka marrë Raportin e Autopsisë. Aty konfirmohet se Astrit Dehari ka vdekur nga asfiksia mekanike, nga bllokimi i rrugëve të sipërme të frymëmarrjes nga mjeti i fortë.
Kryeprokurori z. Sylë Hoxha doli në konferencë shtypi me konstatime ende pa u bërë e pa u kryer hetimet.
Ekspertët e mjekësisë ligjore që i ka angazhuar familja, Dr.Besim Ymaj dhe Dr.Besim Latifaj, kanë qenë të pranishëm gjatë obduksionit, por nuk janë ftuar për të thënë fjalën e tyre dhe nuk u janë dhënë materialet bazë e provat, madje as fotografitë me ngjyra.
Në këtë Raport nuk shpjegohen lidhjet shkencore e logjike midis konstatimeve të shkakut të vdekjes (asfiksisë) dhe shkaktarit të vdekjes (dëmtime të vetëshkaktuara “hezituese”). Rrjedhimisht, raporti është dhe konkluzioni i tij mbi shkaktarin e vdekjes është krejt i pabesueshëm.
Do të nevojiten disa ditë që Dr.Besim Ymaj e Dr.Besim Latifaj ta analizojnë këtë Raport të Autopsisë dhe ta thonë mendimin e tyre, bazuar edhe në shënimet e tyre të vëzhgimit të obduksionit.