Site icon Telegrafi

Vetëvendosje: Qeveria nuk lejon hetim ndërkombëtar për rastin e Astrit Deharit

Vetëvendosje theksoi se Zyra e Kryeministrit ka refuzuar hetimin e pavarur të rastit të Astrit Deharit nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në kuadër të Qendrës Universitare në Lozanë të Zvicrës.

Për këtë çështje, në një konferencë për media folën deputeti Driton Çaushi dhe anëtari i Kryesisë, Sami Kurteshi.

Deputeti Çaushi bëri një renditje kronologjike të të gjitha veprimeve të pushtetit me synimin për ta heshtur këtë rast, duke theksuar se rasti i refuzimit të hetimit ndërkombëtar nga një institut me kredibilitet aq të lartë flet më së miri për kapjen e drejtësisë në Kosovë.

“Me datën 20 dhjetor të vitit 2016, Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë e cila hapte mundësinë për një investigim të pavarur ndërkombëtar për shkaqet e vdekjes së Astritit. Kjo pra u votua në Kuvend, dhe ajo që tani kemi marrë si lajm është se Zyra e Kryeministrisë, pra Qeveria e Kosovës, refuzon kërkesën e familjes për investigimin e këtij rasti nga një institucion zviceran me renome botërore, me një të kaluar të suksesshme të rasteve të zgjidhura të hetimeve të ndryshme”, tha Çaushi.

Kurse, Sami Kurteshi sqaroi gjitha veprimet në lidhje me kërkesën për hetim ndërkombëtar.

Ai tha se me 2 mars të këtij viti është bërë kërkesë nga avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, e cila nuk mori përgjigje për më shumë se një muaj.

Kurteshi tregoi se më 18 prill ka pasur një urgjencë nga avokati drejtuar Ministres së Drejtësisë, Dhurata Hoxha, e cila më pas bart përgjegjësinë tek Zyra e Kryeministrit.

Tutje, avokati Gashi drejtoi më 21 prill kërkesën për hetim ndërkombëtar pranë Zyrës së Kryeministrit, sipas udhëzimeve nga Ministria e Drejtësisë, e që më pas refuzohet me 3 maj.

“Më 3 maj 2017, avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, pranon një letër nga drejtori i Zyrës Ligjore në Zyrën e Kryeministrit dhe e njofton për përgjigjen që Ministria e Drejtësisë ka marrë për kërkesën me 14 prill. Me ketë përgjigje refuzohet nga Zyra e Kryeministrit hetimi ndërkombëtar i rastit të Astrit Deharit”, tha Kurteshi, duke përmendur se kjo Zyrë nuk i kthen drejtpërdrejt përgjigje avokatit Gashi pa asnjë arsyetim.

Ai po ashtu foli edhe për kredibilitetin dhe profesionalizmin e lartë të institutit, duke theksuar se ky institut është marrë edhe me rastin e vrasjes së kryeministrit libanez dhe raste të tjera të njohura.

Vetëvendosje theksoi se nuk do të heq dorë asnjëherë nga zbardhja e të vërtetës për vdekjen e dyshimtë të Astritit. /Telegrafi/

Exit mobile version