Site icon Telegrafi

Vetëvendosje proteston në Berlin (Video)

Përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje kanë organizuar një protestë në Berlin, në kohën kur pritet të mbahet takimi mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku nikoqir të këtij takimi janë kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, dhe presidenti francez, Emanuel Macron.

Njëri nga aktivistët e LVV ka thënë se janë mbledhur për të protestuar kundër liderëve që sipas tij nuk e përfaqësojnë Kosovën por marrin vendime për të.

“Jemi mbledhur sot këtu që të shprehim kundërshtimin tonë kundër liderëve që nuk e përfaqësojnë Kosovën por që duan të marrin vendime për të. Le të mësojë opinioni publik këtu në Gjermani se këta politikanë janë të korruptuar dhe nuk kanë legjitimitet sepse nuk i kanë fituar kurrë as votat e shumicës në Kosovës. Nuk e kanë as përkrahjen e Kosovës, por përmes faljes së territoreve duan të shpëtojnë nga Gjykata Speciale”, ka thënë ai, transmeton Telegrafi.

Ai ka thënë se Kosova nuk ka territor për të falur por ka theksuar se politikanët përfshirë presidentin Thaçi, duan ta shesin Kosovën.

“Këta politikan si Hashim Thaçi dhe ata që rrinë pas tij duan ta shesin Kosovën që të mos japin vetëvetën. Kosova nuk ka territor për të falur. Nga lufta e fundit Kosova ka humbur shumë jetë njerëzish dhe është dëmtuar materialisht nga Serbia, e cila ende nuk distancohet nga krimet dhe gjenocidi që ka bërë. Serbia ka vrarë 12 mijë persona, ka dhunuar 20 mijë gra, ka djegur 130 mijë shtëpi, ka dëbuar nga shtëpitë e tyre afro 1 milion shqiptar, dhe sot e kësaj ditë mbesin të pagjetur 1652 persona. Pikërisht këto ditë në Kosovë po shënohet 20 vjetori i masakrave që Serbia i ka bërë në Kosovë, nga qeveria e asaj kohe, pjesë e secilës ishte edhe Alaksandar Vuçiq. Pikërisht kur Vuçiq ishte ministër i indikacionit të Millosheviqit, sot presidenti Thaçi takohet me këtë njëri duke dashur edhe ndarjen e Kosovës. Mos të harrojmë që Vuçiq nuk përfaqëson serbët e Kosovës që po e denoncojnë publikisht atë”, është shprehur ai.

Në këtë protestë LVV ka kërkuar nga Gjermania që ta mbështes zhvillimin ekonomik të Kosovës duke izoluar politikanët.

“Ftojmë që Gjermania të mos e mbështes këtë pazar të dëmshëm ndaj demokratëve. Kërkojmë që Gjermania të ndihmoj demokratizimin dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës duke izoluar politikanët e korruptuar”, ka thënë njëri nga aktivistët e VV-së./Telegrafi/

Exit mobile version