Fatmir Limaj ka thënë se pret ende mbështetje nga Vetëvendosje në lidhje me protestën e 14 majit.
Zëdhënësi i Vetëvendosjes, Frashër Krasniqi, i kontaktuar nga Koha.net, nuk ka dashur të komentojë për çështjen e protestës.
“Krejt çka kemi pasur të themi rreth subjekteve opozitare dhe rreth kësaj çështjeje, tashmë e kemi deklaruar dhe nuk do të komentojmë më tutje”, është përgjigjur ai për Koha.net.
Vetëvendosje pati thënë se AAK-ja nuk ishte konsultuar fare për organizimin e protestës së 14 majit, që erdhi pas anulimit të protestës së 26 marsit nga atëherë blloku VAN, që më pas rrodhi në AN (AAK-Nisma) duke i ndarë rrugët me Vetëvendosjen.
Limaj ka thënë se ata më herët e kanë mbështetur Vetëvendosjen, duke përmendur rastin e protestave kundër ish-ministrit Jabllanoviq.