Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nuk kanë nënshkruar ende marrëveshje për bashkëqeverisje në Prizren.
Marrëveshja në parim për ndarjen e drejtorive të Ekzekutivit ka stagnuar për shkak mungesës së besimit të Vetëvendosjes në votat e LDK-së.
Burime të portalit “PrizrenPress” bëjnë të ditur se Vetëvendosje ka kërkuar garanci të votave nga LDK-ja për kryesuesin, pasi që në mesin e kuvendarëve të këtij subjekti politik, ka të pakënaqur me propozimet për drejtorë.
Ndërkaq, kryetari i LDK-së në Prizren, Haxhi Avdyli, ka mohuar se ka pakënaqësi brenda LDK-së.
Sipas tij, propozimi i emrave për drejtorë është bërë nga Kryesia.
Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka folur për ‘planin B’, nëse kandidati i VV-së për kryesues të Kuvendit, Artan Abrashi, nuk i merr votat e mjaftueshme në seancën e së hënës.
“Në rast të mos arritjes së marrëveshjeve me partitë me të cilat po zhvillohen bisedimet, ne kemi edhe ‘planin B’ të veprimit”, ka thënë Haskuka.
Haskuka premton se të hënën e javës së ardhshme do të emërojë disa nga drejtorët e rinj të Ekzekutivit.