Telegrafi

Vetëvendosje mohon se aktivistët e saj kanë sulmuar veprimtarin e PDK-së në Ferizaj

Foto: Ilustrim

Lëvizja Vetëvendosje-Qendra në Ferizaj ka reaguar ndaj sulmit fizik që iu bë veprimtarit të PDK-së, Jakup Sabedinin në Ferizaj.

Në reagimin për media, LVV-Qendra Ferizaj thekson se e dënon sulmin në fjalë dhe kërkon që organet e rendit të gjejnë sulmuesit sa më parë.

Po ashtu në këtë reagim Lëvizja Vetëvendosje-Qendra Ferizaj thekson se komunikatën e degës së PDK-së në Ferizaj pas më tepër se tre ditë prej që ka ndodhur rasti e cilësojn si tendencioze dhe krejtësisht të pavërtetë, transmeton Teelegrafi.

Sipas LVV-Qendra Ferizaj komunikata e PDK-së që me tendencë sulmon LVV-në nuk ka për qëllim që të gjejë kryersin e aktit por t’ja mvesh këtë akt LVV-së.

Reagim i plotë i LVV:

“Sot nga mediat kuptuam rastin e sulmit ndaj një aktivisti të PDK-së në Ferizaj. Lëvizja VETËVENDOSJE! – Qendra Ferizaj dënon sulmin në fjalë dhe kërkon që organet e rendit të gjejnë sulmuesit sa më parë.

Ndërkohë, komunikatën e degës së PDK- së në Ferizaj pas më tepër se tre ditë prej që ka ndodhur rasti e cilësojmë si tendencioze dhe krejtësisht të pavërtetë.

Aktivistët e Lëvizjes nuk janë të përfshirë në këtë rast andaj nuk ka pse hidhen shigjeta në drejtim të anëtarëve dhe aktivistëve të VETËVENDOSJE!s.

Komunikata e PDK-së që me tendencë sulmon LVV-në nuk ka për qëllim që të gjejë kryersin e aktit por t’ja mvesh këtë akt Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Ne i bëjmë thirrje edhe një herë institucioneve përkatëse që përgjegjësit të sillen para drejtësisë dhe për ta të merret masa e nevojshme”, thuhet në reagim.

Ndryshe Dega e Partisë Demokratike në Ferizaj përmes një reagimi të bërë për media ka thënë se aktivistë të Vetëvendosjes kanë sulmuar fizikisht veprimtarin e PDK-së, Jakup Sabedinin.

Lexo po ashtu Dega e PDK-së në Ferizaj: Aktivistët e Vetëvendosjes kanë sulmuar veprimtarin e PDK-së, Jakup Sabedinin

Në njoftimin e bërë për media thuhet se dega e PDK-së në Ferizaj, dënon fuqishëm këtë akt të dhunës si dhe fton organet e drejtësisë dhe ato të sigurisë ta ndriçojnë këtë rast dhe të mbajnë përgjegjës kryesit deri në dënimin meritor./Telegrafi/