Lëvizja Vetëvendosje në këto momente është duke e mbajtur mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm.
Kjo mbledhje po mbahet po praninë e kryetarit Visar Ymeri dhe disa anëtarëve të tjerë si Dardan Molliqaj, Shqipe Pantina, Ali Lajçi etj.
Ymeri përmes një fjalimi që ka postuar në Facebook ka thënë se “Nuk ka kurrfarë nevoje për këtë nguti të thirrjes së mbledhjes në këtë mënyrë. Nuk kemi asnjë nguti që ta mbajmë mbledhjen në këtë gjendje e me këto ndasi. Zgjedhjet e brendshme duhet të mbahen. Ato nuk mund të ndalen, edhe po të kishte pasur qëllime për një gjë të tillë. Lëre më që qëllim të tillë nuk ka pasur e nuk ka askush. Mandati i strukturave aktuale drejtuese të nivelit të tretë skadon në fund të shkurtit. Asnjë ditë më shumë nuk mund të qëndroj si Kryetar i Lëvizjes, e as si kryesi me përbërjen aktuale. Kemi pasur mundësi që këtë mbledhje të Këshillit ta mbajmë në janar të vitit të ardhshëm. Në këtë kohë do ta kishim përbërjen e plotë të Këshillit. Një pjesë të problemeve të brendshme do t’i kishim të adresuara. Dhe do të vinim në Këshill të gjithë me një pasqyrë më të qartë për atë se çfarë ka ndodhur, si ka ndodhur, dhe se si do të ecim para”.
Kjo mbledhje është thirrur pas problemeve të fundit që kanë përfshirë nga brenda LVV-në. /Telegrafi/