Lëvizja Vetëvendosje dje ka dërguar një kërkesë me shkrim drejtuar KQZ-së duke kërkuar shtyrjen e afatit për regjistrim për bashkatdhetarët që jetojnë jashtë vendit.
“Formalisht e drejta dhe mundësia për pjesëmarrje në votim ju njihet me ligj, praktikisht ju bëhet e pamundur për shkak të afatit të shkurtër për regjistrim dhe mungesës së informimit të votuesve për mënyrën e regjistrimit dhe votimit”, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes.
Vetëvendosje thotë se, ngjashëm si në zgjedhjet e kaluara, periudha e regjistrimit prej 15-22 maj është tejet e shkurtër për t’u njoftuar, përgatitur dhe dërguar dokumentacionin e nevojshëm për të gjithë ata që janë të interesuar të votojnë përmes postës.
“Prandaj, duke pasur parasysh të gjitha këto, kërkojmë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, që në përputhje me përgjegjësitë e saj dhe mbështetur në parimet dhe standardet më të mira ndërkombëtare për një proces gjithëpërfshirës dhe ku e drejta e votës garantohet dhe u mundësohet të gjithë votuesve, kërkojmë që afati i regjistrimit të votuesve jashtë vendit, që është vendosur të përfundoj me 22 maj, të shtyhet deri me 25 maj 2017”, përfundon komunikata.