Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, ka dorëzuar në Kuvend kërkesën për interpelancë lidhur me Telekomin dhe Postën e Kosovës.
Në deklarimin e tij në Kuvendin e Kosovës, kërkuesi i kësaj interpelance, Kryetari dhe deputeti Albin Kurti paraqiti problemet që i kanë krijuar këtyre dy ndërmarrjeve ndërhyrjet konstante.
Sipas LVV-së, shkaktarët që e sollën Telekomin dhe Postën në këtë gjendje duhet të përballen me drejtësinë.
“Sot duket e vakët kjo mundësi për shkak të sistemit të drejtësisë që e ka Kosova. Por gjurmët e krimit në PTK nuk mund të fshihen as të humbin. Dhe, as emrat që i kanë shkaktuar. Synimi është të propozojmë zgjidhje të kësaj situate sepse Telekomi si biznes mund dhe duhet patjetër të shpëtohet. PTK si biznes është para falimentimit dhe rrezikohet funksionimi i shërbimeve postare dhe telekomunikuese në vend”, thuhet në kërkesën e LVV-së për interpelancë, përcjell Telegrafi.
Në fund, LVV thotë se Kuvendi i Kosovës është i detyruar të ndërhyjë për të siguruar ofrimin e pandërprerë të këtyre shërbimeve dhe të propozojë një rezolutë pas diskutimit në Kuvend. /Telegrafi/