Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sali Zyba, ka dorëzuar kallëzimin penal për ish-ministrat e Bujqësisë, Nenad Rikallo, Memli Krasniqi, Blerand Stavileci, sekretarin e Ministrisë së Bujqësisë, Halim Kapllani, drejtorin e Agjencisë së Zhvillimit të Bujqësisë, Ekrem Gjokaj dhe ish-drejtorin e kësaj agjencie, Elhami Hajdari.
Zyba ka thënë se grantet dhe subvencionet nga fondet publike janë të dedikuara për fermerët e bujqit, sipas tij veçanërisht për ata më në nevojë.
“Praktika e qeverive të Kosovës deri më tash ka qenë krejt e kundërta. Grantet në vend se të shkojnë për ata që merren me bujqësi, kanë shkuar për kompani milionëshe të cilat në shumicën e rasteve as nuk janë fermer e as nuk merren më këtë fushë drejtëpërdrejtë. Jemi të vetëdijshëm që tashmë dhjetra fermerë për vite të tëra kanë kallzuar në prokurori, në polici për keqpërdorimet e mëdha qoftë me grantet e qoftë me subvencionet. Qindra ankesa e padrejtësi kemi pranuar prej tyre në këtë drejtim”, ka thënë ai.
Sipas një komunikate, Zyba ka kërkuar nga prokuroria që të mos vonohet me hetimet, dhe se kallëzimi i mbulon dy çështje.
“Kallëzimi i sotshëm i mbulon dy çështje, grantet në shumën 4 milionë euro të dhëna për 4 konzorciume dhe një kompani secila prej tyre e lidhur drejtpërdrejtë me drejtues politikë dhe ish-ministra, si dhe keqpërdorimet prej vitit 2014 në këtë fushë”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, vitin e fundit në Ministrinë e Bujqësisë është sajuar një masë e veçantë, siç theksoi Zyba në shpërputhje të plotë me vet kriteret e kësaj ministrie./Telegrafi/