Lajmi i publikuar se presidenti Thaçi nuk është mirëpritur në Kovragë të Istogut, i ilustruar me disa pankarta, po del të jetë inskenim i një aktivisti të Vetëvendosjes nga ky fshat.
Safet Blakaj, organizator i manifestimit tradicional “Dita e mollës”, njëherësh kryetar i shoqatës së pemëtarëve të Kovragës ka demantuar këtë lajm, duke thënë se asnjë pankartë e tillë nuk ka qenë në manifestim dhe as që ka ekzistuar. Ai e ka quajtur këtë inskenim, sepse presidenti Thaçi jo vetëm që është mirëpritur, por edhe i është ndarë mirënjohje për kontributin e tij për zhvillimin e bujqësisë në komunën e Istogut.
“Jo, nuk është e vërtetë se në manifestimin tradicional “Dita e mollës”, ka ekzistuar ndonjë pankartë e tillë kundër presidentit Thaçi, të cilit pemëtarët e Kovragës i janë shumë mirënjohës për zhvillimin e sektorit të bujqësisë. Është thjesht inskenim i Vetëvendosjes, i bërë sa për disa foto për t’ia përcjellë pastaj medieve, foto të bëra në pronën e një aktivisti të tyre, me shumë se 1 kilometër larg manifestimin. S’ka asgjë të vërtetë në atë lajm”, ka thënë Blakaj për Indeksonline.
Indeksonline ka kontaktuar për media edhe kabinetin e presidentit Thaçi, të cilët gjithashtu kanë demantuar këtë informacion. “Nuk e dimë për çka e keni fjalën. Asnjë pankartë e tillë nuk është parë sot në Kovragë. Për më tepër, nga pemëtarët e Kovragës i është ndarë mirënjohje presidentit Thaçi për kontributin e tij për zhvillimin e sektorit të bujqësisë në Kovragë dhe Istog”, ka thënë Adil Behramaj nga kabineti i presidentit Thaçi.
I pyetur nëse mund të jetë ky një inskenim i Lëvizjes Vetëvendosje, duke mos dashur të komentoj Behramaj ka thënë se është tërësisht e parëndësishme të merremi me “aktrimet” publike të të tjerëve, të cilat mund t’i bëjnë për qëllime politike.